Konsullata e Kosovës në Strugë mbyllet, shërbimet konsullore kalojnë në Shkup
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Strugë është mbyllur, ndërsa shërbimet konsullore për qytetarët kosovarë në Maqedoninë e Veriut do të ofrohen nga Ambasada e Kosovës në Shkup.
Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Kosovës në RMV, e cila sqaron se vendimi është marrë në bazë të Dekretit Nr. 150/2025 të Presidentes së Republikës së Kosovës dhe Vendimit përcjellës Nr. Ref. 261/2026 të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Sipas Ambasadës, mbyllja lidhet me një vlerësim të dinamikës së misionit konsullor dhe synon optimizimin e resurseve, në përputhje me nevojat institucionale.
Megjithatë, Kosova do të vazhdojë të ketë prezencë në Strugë. Atje do të vijojë veprimtarinë Zyra e Konsullit të Nderit të Republikës së Kosovës, i cili ka rreth konsullor pikërisht qytetin e Strugës.
Ndërkohë, Ambasada në Shkup do të marrë përsipër ofrimin e shërbimeve konsullore për shtetasit e Kosovës në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut.
Me mbylljen e Konsullatës së Përgjithshme në Strugë, shërbimet konsullore të Kosovës në RMV përqendrohen në Ambasadën në Shkup. Gazeta Flaka










