Kosova fiton betejën për yllin e Bundesligës – Avdullahu vjen te Dardanët
Mesfushori i talentuar Leon Avdullahu ka marrë një vendim historik për karrierën e tij, duke zgjedhur të përfaqësojë Kombëtaren e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
I lindur dhe rritur në Solothurn të Zvicrës, me origjinë nga Komuna e Kamenicës, Avdullahu ka kaluar të gjitha grupmoshat te FC Basel, ku ka fituar kampionatin dhe kupën e Zvicrës, si dhe ka debutuar në ekipin e parë në vitin 2023.
Në verën e këtij viti, 21-vjeçari bëri hapin e madh duke u transferuar te TSG Hoffenheim në Bundesliga për 8 milionë euro. Ai është bërë titullar i rregullt në Gjermani, duke treguar pjekuri dhe stabilitet në lojë, ndërsa vlera e tij në Transfermarkt ka arritur në 10 milionë euro.
Avdullahu ka përfaqësuar Zvicrën nga U15 deri te U21, por ka refuzuar ftesën e Kombëtares A zvicerane për të ndjekur zemrën e tij dhe për të veshur fanellën e Dardanëve. Debutimi i tij pritet të jetë më 5 shtator, pikërisht ndaj Zvicrës – një moment simbolik për të dhe për tifozët kosovarë.
Ky vendim shihet si një fitore e madhe për futbollin e Kosovës, duke i shtuar mesfushës një lojtar të ri, të talentuar dhe me vizion për të ardhmen.
Flaka
















