Lampard: Reece James, një nga më të mirët në botë
Legjenda e Chelsea FC, Frank Lampard, ka lavdëruar kapitenin e skuadrës, Reece James, duke e cilësuar si një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë në botë.
Në një intervistë për talkSPORT, Lampard u shpreh i impresionuar nga zhvillimi i James si lider në skuadër, duke theksuar rritjen e tij në rolin e kapitenit.
“Ai është një lojtar dhe një djalë i jashtëzakonshëm. Jam shumë i kënaqur me mënyrën se si e ka përqafuar rolin e kapitenit te Chelsea. E kam parë të rritet në këtë rol”, deklaroi Lampard.
Ish-mesfushori anglez vuri në pah edhe cilësitë teknike të mbrojtësit, duke theksuar aftësinë e tij unike në kontrollin e topit dhe ndikimin në lojë.
“Nuk kam parë kurrë dikë që merr një top nga 70 metra dhe e kontrollon me gjoks për ta menaxhuar si të dojë”, shtoi ai.
Lampard theksoi gjithashtu rëndësinë e madhe që James ka për skuadrën londineze, duke nënvizuar se mungesa e tij ndihet menjëherë në fushë.
“Ai është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Chelsean. E kupton këtë sidomos kur ai nuk luan. Është një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë në botë pa asnjë dyshim”, përfundoi Lampard.
Flaka
















