LSM-ja shpëton konfiskimin e shtëpisë së punëtorëve

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 20 Shtator, 2024 21:22

LSM-ja shpëton konfiskimin e shtëpisë së punëtorëve

Është shfuqizuar revizioni i tre gjyqtarëve, që në fillim të vitit e theksuam se i ka shkaktuar dëmin më të madh Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, diçka që nuk ka ndodhur as në Evropë e as në botë, theksoi mes tjerash kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov. Ai po ashtu theksoi, se lufta që ka bërë për këto tetë muaj, i lejoi që të përsëritet procedura dhe të anulohen të gjitha aktet ligjore, që nënkuptonin konfiskimin e Shtëpisë së Punëtorëve. Ai po ashtu u bëri thirrje Qeverisë së re, që të mos ndjekë shembujt e qeverive të mëparshme, që ishin kundër punëtorëve dhe që donin t’ua marrin punëtorëve shtëpinë e tyre.

“Propozimi i Lidhjes së Sindikatave, me qëllim që të ripërsëritet procedura duke u bazuar në fakte me të cilat i kemi në dispozicion që nga viti 1948, është pranuar nga Gjykata Supreme, me udhëzim që të ndërpriten të gjitha procedurat e deritanishme, duke e përfshirë edhe revizionin e Gjykatës Supreme, e cila nënkuptonte që të konfiskohet prona dhe shtëpia e punëtorëve në dëm të të gjithë punëtorëve të vendit dhe lëvizjes së punëtorëve, duke e dëmtuar LSM-në, me të vetmin qëllim që të zhduket LSM-ja. Pra punëtorët, LSM-ja dhe e drejta e tyre korrën fitore vetëm për tetë muaj, edhe atë ndaj një sistemi të korruptuar dhe gjykatës të korruptuar. Për fatin tonë të mirë, jo të gjithë gjykatësit janë të njëjtë.”, – deklaroi Sllobodan Trendafilov nga LSM-ja.

Sipas tij, LSM-ja u befasua me aktgjykimin e janarit të vitit 2024, që nënkuptonte konfiskimin e pronës së punëtorëve. Sipas Trendafillovit, ky proces filloi në vitin 2005 dhe përfundoi në vitin 2023. Trendafillovi po ashtu theksoi se ai si kryetar i LSM-së ka marrë informacion se propozim-aplikacioni i dorëzuar në Strasburg është pranuar dhe se është shkelur neni 1 i Protokollit, që nënkupton të drejtën e pronës. Sipas tij, prona nuk mund të jetë objekt i lojërave politike dhe oligarkike. (TVM2)

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 20 Shtator, 2024 21:22