Manchester United është gati të ofrojë 70 milionë euro për Mateo Retegui dhe po monitoron nga afër mbrojtësin e Interit, Federico Dimarco
Sipas raportimeve të Tuttosport, Manchester United ka përgatitur një ofertë prej 70 milionë eurosh për sulmuesin italian Mateo Retegui, i cili aktualisht luan për Al Qadsiah në Arabinë Saudite. Retegui, i shpallur golashënuesi më i mirë i Serie A sezonin e kaluar me 25 gola për Atalantën, mbetet një nga emrat më të kërkuar në merkato.
Nën drejtimin e Gennaro Gattusos, ai ka shkëlqyer edhe me kombëtaren italiane, duke shënuar pesë gola në katër ndeshjet e para të këtij sezoni. United e sheh atë si një përforcim të madh për repartin ofensiv, sidomos pas vështirësive të fundit në gjetjen e një “bomberi” të qëndrueshëm.
Ndërkohë, “Djajtë e Kuq” po mbajnë nën vëzhgim edhe Federico Dimarcon, mbrojtësin e majtë të Interit. Megjithatë, Dimarco ka shprehur hapur dëshirën për të përfunduar karrierën te Interi, ndërsa drejtuesit zikaltër po punojnë për një kontratë të re deri në vitin 2029 ose 2030.
Dimarco ka qenë vendimtar këtë sezon në Serie A, duke kontribuar me 2 gola dhe 3 asistime në vetëm 6 ndeshje, ndërsa kontrata e tij aktuale skadon në qershor 2027.
Nëse United arrin të sigurojë shërbimet e Reteguit, kjo do të ishte një nga goditjet më të mëdha të merkatos së verës, ndërsa pista Dimarco duket më e vështirë për shkak të lidhjes së fortë të lojtarit me Interin.
Flaka
















