Ministri Tripunovski: Çdo rajon ka potencialin e vet bujqësor
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, në emisionin “Tema e ditës” në TV Sitel theksoi se Qeveria dhe Ministria kanë kthyer vëmendje serioze ndaj sektorit bujqësor, duke vënë në plan të parë mbrojtjen e mundit të bujkut maqedonas, transmeton Flaka
“Në dhjetë muajt e parë të përbërjes së re qeveritare, kemi ndërmarrë aktivitete konkrete për të përmirësuar pozitën e bujqve. Grumbullimi i rrushit dhe blerja e specit vitin e kaluar përfunduan me sukses, pa humbje të prodhimeve. Po ashtu, plasmani i lakrës së pranverës solli mbi 32 milionë euro hyrje devizore,” deklaroi ministri.
Tripunovski njoftoi se tashmë në sistemin ENER është publikuar Ligji i ri për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, i cili do të jetë bazë për projektimet e ardhshme të politikave bujqësore. Ai bëri të ditur se pas fazës së konsultimeve prej 30 ditësh, do të organizohen debate publike me qëllim të përfshirjes së ideve nga terreni.
Ministri theksoi se ka pasur thirrje publike për përkrahjen e bujqve të rinj dhe kooperativave bujqësore, duke nënvizuar se bashkëpunimi mes bujqve është kyç për plasmanin e suksesshëm të prodhimeve bujqësore.
“Gjatë periudhës së ardhshme do të shpallim thirrje për kofinancim të sistemeve mbrojtëse kundër ngricave. Çdo rajon në shtet ka specifikat dhe përparësitë e veta në kultivimin e kulturave të ndryshme,” shtoi Tripunovski.
Qasja e re e Ministrisë synon zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë përmes politikave të hapura, transparente dhe me përfshirje të drejtpërdrejtë të bujqve në hartimin e ligjeve dhe strategjive zhvillimore. Flaka