Mjekët: Deodorantët për gjithë trupin janë të panevojshëm dhe të rrezikshëm
Një valë e re reklamuese nga industria e higjienës po promovon përdorimin e deodorantëve në të gjithë trupin – nga qafa deri te shputat. Marka të njohura si Dove dhe Lynx kanë nisur fushata të pazakonta, duke sugjeruar se freskia nuk duhet të kufizohet vetëm në sqetulla.
Megjithatë, dermatologët paralajmërojnë se ky trend është më shumë një strategji marketingu sesa një domosdoshmëri shëndetësore. Sipas Dr. Pallavi Gupta, shumica e gjëndrave të djersës nuk prodhojnë erë trupore. Zonat problematike janë vetëm sqetullat, shputat dhe ijët, ndërsa pjesët e tjera të trupit kërkojnë vetëm larje të rregullt dhe rroba të pastra.
Ekspertët theksojnë se përdorimi i deodorantëve në zona të panevojshme mund të shkaktojë irritime të lëkurës, alergji dhe tharje, sidomos kur produktet përmbajnë aromatizues të fortë ose kimikate.
Trendi i “deodorantit për gjithë trupin” lidhet ngushtë me kulturën e “clean girl” që po qarkullon në rrjetet sociale, duke nxitur kërkesën për produkte që premtojnë freski totale. Por mjekët këshillojnë thjeshtësi: një dush i rregullt me produkte të buta dhe pa aromë është më i sigurt dhe i mjaftueshëm.
Flaka
















