Mourinho mbron Mbappén: Do ta ndihmoj të bëhet edhe më i mirë
Përpara nisjes së aventurës së tij të re në stolin e Real Madrid, trajneri portugez José Mourinho ka folur për mënyrën se si do të menaxhojë kritikat ndaj skuadrës dhe veçanërisht ndaj yllit francez Kylian Mbappé.
Mourinho theksoi se nuk dëshiron të nxjerrë përfundime të nxituara bazuar në atë që është raportuar nga mediat, por preferon të njohë personalisht lojtarët dhe situatën brenda klubit.
“Duhet t’i shoh gjërat me sytë e mi. Në këtë moment di vetëm atë që lexoj në media dhe shoh në televizion. Më duhet të njoh lojtarët”, deklaroi ai.
Tekniku portugez shtoi se prioriteti i tij në këtë fazë është të dëgjojë, të analizojë dhe të krijojë një dialog të sinqertë me skuadrën.
“Nuk është koha për të folur shumë. Është koha për të qenë i qetë, për të analizuar, për të komunikuar dhe për të dëgjuar. Dua të ndihmoj lojtarët, ekipin dhe klubin të përmirësohen. Jam këtu për të ndihmuar, jo për të kritikuar.”
Sa i përket Mbappés, Mourinho nuk kurseu elozhet, duke e cilësuar francezin si një futbollist të jashtëzakonshëm.
“Ai është një lojtar fenomenal dhe unë do ta ndihmoj të bëhet edhe më i mirë se sa është aktualisht,” u shpreh trajneri portugez.
Deklaratat e Mourinhos pritet të rrisin optimizmin te tifozët madrilenë, të cilët shpresojnë se përvoja e tij do ta ndihmojë skuadrën të rikthehet në majat e futbollit evropian.
Flaka
















