Ndërron jetë komentatori i njohur sportiv Sami Ademi
Është ndarë nga jeta një nga zërat më të njohur të gazetarisë sportive në vend, komentatori i TVM2, Sami Ademi – një figurë që për dekada shoqëroi publikun shqiptar me pasionin dhe emocionin e sportit.
Lajmi për vdekjen e tij ka prekur komunitetin mediatik dhe sportiv, duke rikthyer në vëmendje kontributin e gjatë dhe të qëndrueshëm që Ademi dha në ekran. Për shumë shikues, ai ishte më shumë se një komentator – ishte zëri që shpjegonte ndeshjen, që i jepte ritëm dhe emocion çdo momenti sportiv.
Sami Ademi i përkiste një brezi gazetarësh “old school”, të formuar mbi disiplinë profesionale dhe përkushtim afatgjatë. Me mbi dy dekada në gazetari, ai ndërtoi një profil të qëndrueshëm në fushën e sportit, duke u bërë një nga figurat më të identifikueshme të TVM2.
Komentet e tij të qarta, zëri karakteristik dhe mënyra e drejtpërdrejtë e interpretimit të lojës e bënë të dashur për publikun. Kolegët e përshkruajnë si njeri të qetë, korrekt dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar, ndërsa për publikun mbetet një figurë që i dha shpirt transmetimeve sportive në gjuhën shqipe. “Paska ikur në amshim ikona e gazetarisë sportive në vendin tonë, komentatori Sami Ademi.
Një njeri shembullor, i dashur për të gjithë dhe një zë i njohur për të gjithë ne”, thuhet në reagimet e para pas lajmit. Vdekja e tij lë një boshllëk të dukshëm në gazetarinë sportive shqiptare në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në ekranin e TVM2, ku ai la gjurmë të pashlyeshme. U prehtë në paqe. Redaksia Flaka
















