Në Maqedoni ka 46 të dënuar me burgim të përjetshëm
Raskolnikov i Maqedonisë që vrau gjyshet me sëpatë, Nikollçe Gigevski i njohur si kinezi që vranë dy bashkëshortë në Draçevë, i pastreha Dino Dinevski i cili iu lut Sandrës të ngrihej dhe të tregonte se kush e vrau, janë vetëm tre nga 46 vrasësit e dënuar që vuajnë dënimin në Idrizovë. Nëntë prej tyre janë terroristë. Sipas ndryshimeve të fundit në Kodin Penal, burgimi i përjetshëm mund të zëvendësohet me 40 vjet burgim. Më parë, burgimi i përjetshëm mund të zëvendësohej me 20 vjet, dhe shumë më herët me 15 vjet.
Por a ofron sistemi i drejtësisë në Maqedoni risocializim apo ekziston Idrizova me qëllim të dënimit çnjerëzor të vrasësve dhe terroristëve?
Avokati Elenko Millanov thotë se nëse dikush dënohet për një vrasje që e ka kryer në moshën 20 vjeçare, duhet pasur parasysh se në dekadat e ardhshme ai mund ta ketë kuptuar atë që ka bërë dhe është penduar, ndaj meriton një rishikim të dënimit.
Një nga rastet që ka përfaqësuar Millanov është vrasja e Sandrës nga Autokomanda e ndodhur në vitin 2006, për të cilën i pastrehi Dino Dinevski vuan dënimin e përjetshëm. Edhe pas gati 20 vitesh nga vrasja, një pjesë e publikut ende nuk është i bindur se Dino është përdhunuesi dhe vrasësi i Sandrës. Millanov është i bindur se gjykata nuk ka pasur prova të forta për të shqiptuar sanksionin më të lartë.
Përveç disa terroristëve, në repartin më famëkeq në Idrizovë, të quajtur krahu i nëntë, ka të dënuar për vrasje brutale të grave, nënave dhe vrasësve nga egoizmi. Mes tyre, e vetmja grua është Blerta Pocesta, emigrantja nga Italia që vrau prindërit dhe motrën 14-vjeçare në shtëpinë e familjes në Dibër. Mediat kanë shkruar për motivet e Blertës. Sipas disave, Pocesta ka vrarë familjen për shkak të parave, e sipas të tjerave, sepse prindërit nuk e kanë lënë të martohej me një italian.
Të gjithë ata kanë të drejtë për zbutje të dënimit të përjetshëm pasi të kenë vuajtur ose do të vuajnë të paktën 15 vjet. FLAKA
















