Një pesëvjeçare ka ndërruar jetë në Klinikën e Fëmijëve
Një vajzë pesëvjeçare ka ndërruar jetë nga inflamacioni i trurit në Klinikën e Sëmundjeve të Fëmijëve, konfirmoi drejtori i klinikës, Rexhep Memedi.
“Ka qenë në terapi intensive, ka pasur meningo-encefalit të rëndë, ka ndërruar jetë para dy ditësh”, deklaroi drejtori.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat, vajza ishte shtruar në Klinikën e Fëmijëve dy javë më parë për shkak të dhimbjes së fortë të kokës. Fillimisht ajo u trajtua në Repartin e Neurologjisë, por javën e kaluar gjendja e saj u përkeqësua dhe u transferua në repartin e kujdesit intensiv. Aty vajza u intubua, por me gjithë përpjekjet e kuadrit mjekësor nuk arritën të shpëtonin fëmijën që iu shfaq meningo-encefalit dhe ndërroi jetë dy ditë më parë.
Nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor informuan se do të kryejnë mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese.
Ky është rasti i tretë i vdekjes në Klinikën e Sëmundjeve të Fëmijëve gjatë muajit të kaluar. Për vajzën 14-muajshe nga Gërçeci ende zhvillohet procedurë për konfirmimin e përgjegjësisë eventuale të mjekëve, ndërsa për foshnjën nga Strumica, ISHSSH nuk konstatoi lëshime në mjekim.