Opinion: Spektakël politik në Zhelinë: U mbars mali, polli mi
Opinion nga: Gent Aliu
Propaganda politike shpesh mbështetet në deklarata madhështore dhe premtime të ekzagjeruar, por nganjëherë realiteti nxjerr në pah boshllëkun pas këtij spektakli. Vizita e fundit e Kryeministrit Hristijan Mickoski në Zhelinë ishte një shembull klasik i teatrit politik, ku retorika eklipsoi përmbajtjen.
Gjatë ngjarjes, Kryetari i Zhelinës Blerim Sejdiu mbajti një fjalim që më shumë tingëllonte si reklamë elektorale sesa një adresim zyrtar. Në vend që të paraqiste arritje konkrete, ai lexoi si nxënës i klasës së dytë një fjalim të përgatitur, duke krijuar një imazh të zhvillimit të jashtëzakonshëm nën udhëheqjen e tij. Fjalët e tij sugjeruan se me atë në krye, zhvillimi në Zhelinë ishte, është dhe do të jetë aq transformues, saqë mund ta lidhte komunën e Zhelinës me hënën.
Megjithatë, projekti i vërtetë që po lavdërohej doli të ishte vetëm një rrugë 1.5 kilometra e gjatë, një kontrast i qartë me pretendimet e bujshme të bëra gjatë fjalimit. Pra, në këtë fantazi të hershme parazgjedhore, u mbars mali e polli një mi.
Kryeministri Mickoski lavdëroi kryetarin e Komunës, duke forcuar iluzionin e arritjeve të mëdha, pavarësisht përmasës modeste të projektit. Pranë tyre qëndronte kryetari i Tetovës dhe lideri i partisë Besa, Bilall Kasami, një figurë e përfshirë në polemika rreth shitjes së Kombinatit të Duhanit në qendër të Tetovës.
Marrëveshja famëkeqe e Kasamit, ku toka publike u shit për vetëm 7,000 euro, për t’u rishitur më pas për 5 milionë euro, mbetet një nga shembujt më të qartë të korrupsionit. Ky rast mund të përdoret lehtësisht si një mësim akademik për studentët e universiteteve të Tetovës që studiojnë korrupsionin politik.
Qëndrimi anti-korrupsion i Mickoskit humbet besueshmërinë kur ai shoqërohet me figura të përfshira në afera të dyshimta. Aleancat e tij me individë që prioritizojnë pasurimin personal mbi shërbimin publik hedhin dyshime serioze mbi angazhimin e tij për transparencë dhe llogaridhënie. Pra, hipokrizia e retorikës për luftën kundër korrupsionit në vepër.
Ndoshta, në vend që të mburret për luftën kundër korrupsionit, Mickoski duhet të rishikojë rrethin e tij politik. Ose ndoshta, këto aleanca kanë një qëllim strategjik, duke siguruar që figura besnike të mbeten të gatshme për të mbështetur agjendën e tij politike, pavarësisht shqetësimeve etike.
Vizita në Zhelinë ishte një shembull klasik i spektaklit politik, ku fjalët tejkaluan realitetin. Ndërsa liderët lavdëronin njëri-tjetrin, ndikimi real tek qytetarët mbeti minimal. Ngjarja nxori në pah shkëputjen mes retorikës politike dhe rezultateve konkrete, duke lënë shumë njerëz të pyesin: A është kjo udhëheqje, apo thjesht një tjetër performancë teatrale?
Rubrika Opinione është rubrikë e hapur për të shprehur qëndrime për fenomente të caktuara nga lexuesit tanë, por redaksia jodomosdoshmërisht pajtohet me përmbajten e tyre. Opinionet nuk paraqesin qëndrimin editorial të FLAKA-s. Palët e përfshira në debate mund të paraqesin reagimet e tyre, dhe redaksia do t’i pasqyron.