Pas tre ditës ndryshon qëndrimin, deputeti i ASH-së Salim Sulejmani jep dorëheqje!

Flaka
Botuar nga Flaka 18 Maj, 2025 12:47

Pas tre ditës ndryshon qëndrimin, deputeti i ASH-së Salim Sulejmani jep dorëheqje!

Shkup, 18 maj 2025 – Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Salim Sulejmani, ka njoftuar zyrtarisht dorëheqjen nga të gjitha funksionet partiake brenda ASH-së, si dhe nga mandati i tij si deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Flaka

Në një deklaratë të publikuar nga Flaka, Sulejmani thekson se vendimi i tij ka ardhur për shkak të largimit të Aleancës për Shqiptarët nga parimet e koalicionit VLEN dhe afrimit me BDI-në – një veprim që ai e konsideron si “shkelje të rëndë të besimit të votuesve”.

“Fatkeqësisht, ajo që kemi parë në kohën e fundit është një devijim i plotë i Aleancës për Shqiptarët nga kjo frymë politike, dhe një largim i hapur nga qëllimet për të cilat u bashkuam me koalicionin VLEN,” shkruan Sulejmani në dorëheqjen e tij.

Ai akuzon BDI-në si një strukturë të komprometuar, të lidhur me interesa të ngushta personale dhe klanore, ndërsa shprehet se afrimi me këtë subjekt para zgjedhjeve lokale është i papranueshëm dhe bie ndesh me frymën e ndryshimit për të cilën ai ishte angazhuar.

“Nuk mund të jem pjesë e një aleance që bëhet për arsye të interesave të ngushta politike, e me njerëz të përmendur në lista të zeza ndërkombëtare për përfshirje në afera të rënda,” thekson ai më tej.

Sulejmani falënderon votuesit, në veçanti qytetarët e Strugës, për mbështetjen, duke theksuar se angazhimi i tij politik nuk ka qenë ambicie personale, por një përpjekje për ndryshim real dhe përfaqësim të denjë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në fund të deklaratës së tij, ai lë të kuptohet se do të vazhdojë angazhimin e tij në forma të tjera, duke paralajmëruar një prani të re dhe më të fuqishme në jetën publike:

“Kauza ime nuk përfundon këtu, ajo vazhdon edhe më fuqishëm, vetëm se në sfera të tjera dhe në mënyrë tjetër… shumë shpejt do t’i ndjeni frytet dhe do t’i shikoni gjurmët e angazhimit tim në të ardhmen.”

Lëvizja e tij është e papritur pasi jo më largë se para tre ditësh mohoi zërat për largim nga ASH-ja dhe përmes një postimi simbolik në Facebook, publikoi një fotografi së bashku me Taravarin dhe mbishkrimin: “E vërteta fiton… gjithmonë.”

Mbetet për t’u parë se cilat do të jenë hapat e radhës të Salim Sulejmanit pas largimit nga politika aktive brenda ASH-së. Flaka Media

Flaka
Botuar nga Flaka 18 Maj, 2025 12:47
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media