Përdorimi i telefonit në errësirë gjatë natës mund të shkaktojë pasoja serioze për shëndetin e syve
Një paralajmërim i fortë vjen nga mjekët okulistë: përdorimi i telefonit në errësirë totale gjatë natës mund të dëmtojë rëndë shikimin. Sipas specialistëve, ekspozimi i syve ndaj dritës së fortë të ekranit në kushte të errëta krijon kontraste ekstreme, të cilat mund të shkaktojnë probleme serioze, sidomos tek individët me një ndërtim të veçantë të syrit të quajtur “kënde të ngushta” (narrow angle chambers).
Në errësirë, bebëza e syrit zgjerohet për të lejuar më shumë dritë të hyjë. Por në disa raste, ky zgjerim bllokon qarkullimin natyral të lëngut brenda syrit, duke shkaktuar një rritje të menjëhershme të presionit intraokular. Ky proces çon në një gjendje të njohur si glaukomë akute me mbyllje të këndit, e cila është një emergjencë okulare.
Pa trajtim të menjëhershëm, kjo gjendje mund të dëmtojë nervin optik brenda pak orësh, duke shkaktuar humbje të pakthyeshme të shikimit.
Mjekët këshillojnë që gjatë përdorimit të telefonit natën, të mos qëndroni kurrë në errësirë totale, por të përdorni një ndriçim të butë në dhomë. Kjo redukton kontrastin mes ekranit dhe ambientit, duke mbrojtur shëndetin e syve.
“Shikimi është më i vlefshëm se çdo postim apo video. Kujdesuni për sytë tuaj” – theksojnë specialistët.
Flaka
















