Pse Elon Musku ngatërrohet në trazirat britanike?

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 8 Gusht, 2024 20:33

Pse Elon Musku ngatërrohet në trazirat britanike?

Twitter/X-I, të cilin Musku pak a shumë u detyrua ta blinte pasi postoi propozimin për blerjen të cilën nuk e mendoi mirë (këtë e pranoi në një intervistë në BBC) – nuk mund të thuhet se ka qenë rrëfim suksesi qëkur ai e ka marrë kontrollin

Nga James MOORE

Elon Musku tash është (siç po duket) ekspert i trazirave të shëmtuara të Londrës. Po pra: njeriu më i pasur në botë i hodhi në eter pikëpamjet e veta për dhunën që po shkatërron rrugët e Britanisë; për kriminalitetin e kryer nga rrugaçët e krahut të djathtë, të cilët duket se mendojnë se patriotizmi përfshin futjen e flakës, abuzimin me myslimanët dhe thyerjen e vitrinave të dyqaneve, para se të rrëmbejnë gjithçka që u bie në dorë. Sipas biznesmenit të shndërruar në autoritetin kryesor të çështjeve botërore, për vendet të cilat ai ndoshta kurrë nuk i ka vizituar, tani është “e pashmangshme” që Britania e Madhe të shkojë drejt “luftës civile”. Ai gjithashtu e ka ngacmuar kryeministrin Keir Starmer për (ndër të tjera) skandalin e bandave të Roterhamit, dhe madje ka lënë të nënkuptohet se komunitetet trajtohen ndryshe nën të ashtuquajturën “polici që është me e ashpër me të djathtën sesa me të majtën [two-tier policing]”.

Duke përdorur platformën e vet për të postuar një seri të komenteve gjithnjë e më të çuditshme, Musku ia dha përgjigjen vlerësimit (të saktë) të Starmerit se ajo që është duke ndodhur “nuk është protestë”, por në fakt është “dhunë e pastër”. Starmeri vazhdoi duke thënë se ai “nuk do të tolerojë sulmet ndaj xhamive ose ndaj komuniteteve myslimane” të cilët janë në shënjestër. Për këtë Musku e sfidoi: “A nuk duhet të shqetësoheni për sulmet ndaj *të gjitha* komuniteteve”? E vetmja gjë e pashmangshme ishte reagimi i publikut, ndërsa figurat me qëllime të mira i peshonin gjërat – me sa duket të tronditur dhe të frikësuar nga keqkuptimet. Për shembull, Rory Stewart u përgjigj: “Njëmend e ke? Qëkur pretendon se i kupton komunitetet britanike apo politikën britanike? Sa ditë saktësisht i ke kaluar ti me këto komunitete? A të shkon ndonjëherë mendja se ndoshta kjo mund të jetë koha e gabuar për të folur për temën për të cilën ti nuk di bash asgjë”? Stewarti nuk është mjet i askujt – dhe ai nuk e ka gabim. Mirëpo, ndërhyrja e tij megjithatë e vendosi Muskun në qendër të diskursit në internet gjë që është, sipas mendimit tim, pikërisht ajo që në radhë të parë Musku kërkonte.

Twitter/X-i – të cilin Musku pak a shumë u detyrua ta blinte pasi postoi propozimin për blerjen të cilën nuk e mendoi mirë (këtë e pranoi në një intervistë në BBC) – nuk mund të thuhet se ka qenë rrëfim suksesi qëkur ai e ka marrë kontrollin. Në janar të këtij viti, [media] Axios-i zbuloi se Fidelity, një kompani e madhe e menaxhimit të parave në ShBA, kishte cilësuar se vlera e aksioneve të saj në kompaninë e mediave sociale – pasi ka ndihmuar në financimin e blerjes prej 44 miliardë dollarëve [40.3 miliardë euro] – ka rënë me 71.5 përqind. Kjo bazohet në vlerësimin e Fidelity-t për zotërimet e veta – dhe aksionarët e tjerë mund të kenë mendime të tjera. Por, askujt nuk i pëlqen t’i bien investimet, aq më pak dikujt si Fidelity. Kështu, mund të vendosim një peshore për pikëpamjet e kompanisë në lidhje me performancën e Twitter/X-it në përkujdesjen e Muskut. Tani, shtrojani vetes këtë pyetje: çfarë mund të bëjë kthesë në atë që duket si vendimi më i keq i investimit të cilin Musku ka ndërmarrë? Po pra – angazhimi. Polemika merr vëmendjen, e cila i tërheq reklamuesit, të cilët sjellin paratë. Megjithatë, ekziston një rrezik në këtë biznes – disa qëllimshëm janë tërhequr nga vlimi i trazirave nga mediat sociale. Vitin e kaluar, një grup i korporatave u irrituan kur Musku e “pasuroi” një debat me një “cicërime” antisemitike. Që atëherë e ka pranuar se kishte “gabuar”, por vazhdonte t’i fajësonte mediat për nxitjen e reagimit.

“Cicërima” e tij shkaktoi bojkot të faqes, megjithëse në disa raste ishte i përkohshëm. Mesa duket, Musku më pas u përpoq të tërhiqej nga komenti i vet, duke vizituar privatisht Izraelin dhe [ish-kampin] Aushvic-Birkenau në shoqërinë e komentatorit konservator, Ben Shapiro. Pra, ai nuk paraqet risi në rritjen e tensioneve racore – vetëm se këtë herë, cak janë myslimanët. Ajo që më shqetëson është se, ndërkohë që Musku pretendon se mbështet fjalën e lirë, ai është duke e bërë një punë të mirë për të krijuar materiale për armiqtë që ka – dhe, për këtë, duke përdorur fuqinë e platformës që zotëron (fatkeqësisht, ende të pakrahasueshme – të paktën sa i përket popullaritetit). Më duket po aq shqetësues fakti se nëse trazirat në rrugë krahasohen me terrorizmin, siç është pohuar, askush nuk ia kushtuar vëmendjen e duhur Twitter/X-it. Është padyshim terren pjellor për këndvështrime raciste, të së djathtës ekstreme, si dhe për lehtësimin e organizimit të trazirave.

Megjithatë, pavarësisht frikës sonë të vërtetë të përbashkët për Muskun dhe bizneset e tij, që të gjithë ne jemi ende këtu, në Twitter/X. E pranoj këtë gabim. Nuk mund të mos e cek se autorja Kate Mosse e kishte përgjigjen më të mirë ndaj sjelljes së Muskut: “Mbaroi. Mirupafshim. @twitter, ke qenë i mrekullueshëm. Gjërat tanë janë bërë të tmerrshme. Të gjithë ndjekësit e mi njerëzorë, mund të më gjejnë në Instagram si katemosswriter”, shkroi ajo më herët sot, në atë që me sa duket ishte “cicërima” e saj e fundit. E pranoj, arsyeja pse ende nuk largohem nga interneti është se ekziston një komunitet aktiv i njerëzve të cilët i kam vlerësuar si shumë më të dobishëm – kur kam pasur telashe me problemet e mia mjekësore, si diabetin e tipit një – sesa NHS-in [Shërbimi Shëndetësor Kombëtar]. E pranoj, është arsyetim i mjerë. Por, tregon gjithashtu se ka grimca drite, përkundër errësirës që është në Twitter/X. Mjerisht, ajo që Musku nxit mund t’i shuajë lehtësisht ato shkëndija.

Por, ndoshta bizneset e tjera të tij do ta zgjidhin këtë problem. Duket se Tesla ka filluar të jetë në telashe serioze, me rënien e shpejtë të çmimeve të aksioneve. E, për çfarë në të vërtetë bëhet fjalë me përfshirjen e Musku në trazirat? Cinikët mes nesh do të thonë se gjithçka ka të bëjë me paratë. Ndoshta kriza e parave të Tesla-s do ta largojë vëmendjen e tij nga problemet britanike, për t’u marrë ai me problemet e veta …

72
SONDAZHI

A e lejon legjislacioni aktual që studentët shqiptarë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare?

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 8 Gusht, 2024 20:33
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
72
SONDAZHI

A e lejon legjislacioni aktual që studentët shqiptarë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare?

  • 2,8 miliardë euro në bixhoz: simptomë e një shoqërie në pasiguri – Çfarë flet sociologjia për fenomenin?