Ramadani shkëlqen, Lecce ndalet në barazim pa gola ndaj Sassuolos
Sfida e javës së shtatë të Serie A mes Lecce dhe Sassuolos përfundoi me rezultatin 0-0, në një ndeshje të luftuar deri në minutën e fundit. Për vendasit, protagonist absolut ishte Ylber Ramadani, i cili u shpall lojtari i ndeshjes falë një performance të jashtëzakonshme në mesfushë.
Trajneri i Lecce-s aktivizoi që nga minuta e parë Ramadanin dhe Medon Berishën, duke krijuar një dyshe solide në qendër të fushës. Përballë tyre qëndronte portieri i Kosovës, Arijanet Muriç, i cili u rikthye titullar pas angazhimeve me kombëtaren.
Ramadani u shqua për kontrollin e lojës, ndërhyrjet e sakta dhe shpirtin luftarak, duke dhënë siguri për skuadrën e tij. Lecce tregoi disiplinë dhe organizim, ndërsa Sassuolo, që vinte pas dy fitoreve radhazi, nuk arriti të thyejë mbrojtjen e hekurt të vendasve.
Me këtë barazim, Lecce arrin kuotën e 6 pikëve dhe ngjitet në vendin e 14-të të tabelës, ndërsa Sassuolo ndalet pas dy fitoreve të njëpasnjëshme. Për Lecce-n, ky rezultat ka më shumë vlerë morale, pasi konfirmon rritjen e skuadrës dhe stabilitetin që po imponon Ramadani në zemër të mesfushës.
Flaka
















