“Rambo Lambo” rikthehet në skenë: LM002 e vitit 1987 shitet për 400 mijë dollarë
Në një ankand të mbajtur nga platforma Bring A Trailer, një Lamborghini LM002 e vitit 1987, e njohur si “Rambo Lambo”, është shitur për plot 400,000 dollarë, duke dëshmuar vlerën e saj si një ikonë e rrallë e industrisë automobilistike.
Ky model unik është një nga vetëm 301 njësi të prodhuara midis viteve 1986 dhe 1993, dhe përfaqëson një eksperiment të guximshëm të Lamborghini-t për të kombinuar fuqinë e një supermakine me aftësitë e një mjeti ushtarak. LM002 u konceptua fillimisht si një automjet për ushtrinë amerikane, por pas dështimit të projektit, u rikthye si një SUV luksoz për klientët më të pasur dhe aventurierë.
Nën kapakun e saj fshihet një motor V12 5.2 litra, huazuar nga Lamborghini Countach, i cili prodhon 455 kuaj fuqi përmes gjashë karburatorëve Weber dhe një transmisioni manual me pesë shpejtësi. Fuqia shpërndahet në të katër rrotat, duke i dhënë LM002 aftësi të jashtëzakonshme off-road.
Pamja e jashtme e makinës është e ndërtuar prej alumini dhe fibra xhami, me linja të mprehta dhe një përfundim elegant në ngjyrë argjendi. Kabina e brendshme ofron një kontrast të papritur luksi, me lëkurë bezhë të rafinuar, detaje druri dhe pajisje si kondicioner, dritare elektrike dhe sistem stereo me kaseta.
Kjo shitje e fundit jo vetëm që konfirmon statusin e LM002 si një “super SUV” i vërtetë, por edhe e pozicionon atë si një investim të sigurt në tregun e makinave klasike.
Flaka
















