Rashford në qendër të sulmit, ideja e re e Flick për Barcelonën
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, po përgatit një ndryshim të madh taktik pas humbjeve ndaj PSG dhe Sevillas. Sipas Mundo Deportivo, gjermani ka analizuar me kujdes dobësitë e skuadrës dhe ka vendosur të provojë Marcus Rashfordin si sulmues qendror.
Plani i Flick është i qartë: Rashford në qendër të sulmit, i mbështetur nga Raphinha në krahun e majtë, Lamine Yamal në të djathtë dhe Fermín López si mesfushor ofensiv. Ky konfigurim synon të rikthejë presionin e lartë dhe intensitetin që i dha Barcelonës tripletën sezonin e kaluar.
Nëse të gjithë lojtarët janë të gatshëm fizikisht, sistemi i ri mund të testohet më 18 tetor kundër Gironës në Montjuïc, ose të debutojë më 21 tetor në Champions League kundër Olympiacos. Sfida e madhe do të jetë El Clásico ndaj Real Madridit më 26 tetor, ku Flick shpreson që Rashford të tregojë se mund të jetë trashëgimtari i Robert Lewandowskit.
Ky vendim shihet edhe si pjesë e vizionit afatgjatë të klubit, pasi drejtori sportiv Deco ka theksuar se Barça nuk është e fiksuar pas një “9-shi” klasik, duke preferuar fleksibilitetin dhe shpejtësinë në sulm.
Flaka
















