Roy Keane shpërthen ndaj Trent Alexander-Arnold: “Gabime koti në ndeshje të mëdha”
Ish-mesfushori legjendar Roy Keane ka kritikuar ashpër mbrojtësin anglez Trent Alexander-Arnold pas golit të parë të Bayern Munich në përballjen ndaj Real Madrid në UEFA Champions League.
Aksioni që çoi në gol erdhi nga një depërtim i Luis Díaz, i cili kaloi lehtësisht në krahun e djathtë, duke lënë pas Trent-in. Kjo situatë shkaktoi reagimin e ashpër të Keane, i cili vuri në pikëpyetje serioze aftësitë mbrojtëse të anglezit.
“Jam lodhur duke parë të njëjtën histori në çdo ndeshje të madhe. Të gjithë flasin për pasimet e tij, por çfarë ndodh me bazat? Në këtë nivel nuk mund të fikesh në atë mënyrë. Është një gabim fëminor”, deklaroi Keane.
Ai shtoi se në ndeshje të tilla kërkohen mbrojtës të nivelit të lartë dhe se aktualisht Trent është larg atij standardi.
Nga ana tjetër, vetë Trent Alexander-Arnold reagoi pas ndeshjes duke ruajtur optimizmin për përballjen e kthimit. Në një intervistë për CBS Sports, ai theksoi se Real Madrid beson ende te përmbysja.
“E dimë që do të jetë shumë e vështirë të fitojmë në Allianz Arena, por ky klub ka treguar se di të rikthehet në momente të mëdha”, u shpreh ai.
Trent komentoi edhe asistin për Kylian Mbappé, duke zbuluar se para ndeshjes kishin diskutuar për shfrytëzimin e hapësirave pas mbrojtjes kundërshtare.
Në fund, ai theksoi se asgjë nuk ka përfunduar ende dhe se madrilenët do të luftojnë deri në fund për kualifikim dhe për të vazhduar rrugëtimin drejt trofeut.
Flaka
















