Si peshku përmirëson aftësitë mendore dhe parandalon Alzheimerin
Peshku nuk është vetëm një ushqim i shijshëm, por edhe një aleat i rëndësishëm për shëndetin e trurit dhe funksionet mendore. Studimet tregojnë se acidet yndyrore, amino acidet dhe vitamina që gjenden tek disa lloje peshqish mund të përmirësojnë performancën mendore dhe të mbrojnë shëndetin mendor. Ekspertët rekomandojnë konsumimin e të paktën 1-2 vakteve me peshk në javë.
Acidet yndyrore omega-3
Peshqit e ujërave të ftohta, si salmoni, sardelet, trofta dhe skumbria, janë të pasur me acid alfa-linolenik, një prej acidit yndyrore omega-3. Trupi përdor këtë acid për të krijuar membranat e qelizave të trurit, duke ndihmuar në përmirësimin e funksioneve të tij. Konsumimi i tre racioneve peshku në javë lidhet me një rrezik më të ulët të sëmundjeve si Alzheimeri dhe skleroza multiple. Mungesa e këtyre acideve yndyrore mund të ndikojë negativisht në aftësitë mendore tek të rinjtë.
Proteina dhe amino acidet
Peshku është gjithashtu burim i proteinave të cilësisë së lartë dhe amino acideve të rëndësishme, që truri nuk i prodhon dot vetë. Amino acidet ndihmojnë në lidhjen e transmetuesve nervorë dhe përmirësojnë komunikimin mes qelizave nervore, duke mbështetur aftësitë mendore.
Vitamina D
Peshku është një nga ushqimet më të pasura me vitaminë D, e cila është e rëndësishme për zhvillimin dhe funksionet e trurit. Sasia e lartë e vitaminës D lidhet me një shëndet më të mirë mendor, ndërsa ndihmon edhe në përthithjen e kalciumit, duke mbështetur funksionin e duhur të nervave.
Në përfundim, përfshirja e peshkut në dietë jo vetëm që kontribuon në shëndetin fizik, por edhe në atë mendor, duke e bërë atë një element kyç të një diete të shëndetshme.
Flaka
















