Studimi: Nuk ka rëndësi vetëm sa flini, por edhe si e perceptoni gjumin
Për shumë vite është besuar se mënyra më e mirë për të pasur më shumë energji gjatë ditës është të flini më gjatë. Megjithatë, studime të reja sugjerojnë se kohëzgjatja e gjumit nuk është faktori i vetëm që ndikon në ndjenjën e lodhjes.
Sipas studiuesve, perceptimi që kemi për gjumin, pra besimi nëse kemi fjetur mirë apo jo, luan një rol shumë të rëndësishëm. Ky fenomen lidhet me të ashtuquajturin Efekti placebo, kur një person përjeton ndryshime reale fizike vetëm nga besimi se një trajtim po funksionon.
Studiuesit kanë përdorur këtë parim për të shpjeguar se si përvoja jonë subjektive e gjumit mund të ndikojë në nivelin e energjisë gjatë ditës.
Profesoresha e psikologjisë në University of Warwick, Nicole Tang, shpjegon se shumë njerëz besojnë se e dinë saktësisht çfarë është një gjumë cilësor, por perceptimi për këtë mund të ndryshojë gjatë ditës.
Në një studim me 119 të rritur, pjesëmarrësit u kërkua të vlerësonin cilësinë e gjumit të natës së kaluar çdo dy orë. Rezultatet treguan se më shumë se 90% e tyre ndryshuan vlerësimin e tyre të paktën një herë gjatë ditës.
Tang vuri re gjithashtu se kur pjesëmarrësit angazhoheshin në aktivitete fizike pozitive, ata kishin tendencë ta vlerësonin gjumin e tyre më mirë, pothuajse sikur të kishin pasur një orë shtesë pushimi.
Besimi se kemi fjetur keq mund të na bëjë të ndihemi më të lodhur
Në një studim tjetër me rreth 100 persona, studiuesit analizuan se si faktorë të ndryshëm ndikojnë në perceptimin e gjumit. Përveç cilësisë së natës, pjesëmarrësit e lidhën gjumin edhe me nivelin e aktivitetit fizik, humorin, aftësitë sociale dhe qartësinë mendore.
Kjo tregon se vlerësimi i gjumit nuk varet vetëm nga ajo që ndodh gjatë natës, por edhe nga mënyra se si ndihemi gjatë ditës.
Sipas Tang, nëse njerëzit besojnë vazhdimisht se kanë fjetur keq, kjo mund t’i bëjë ata të ndihen edhe më të lodhur dhe më pak energjikë.
Për të përmirësuar cilësinë e gjumit, ekspertët rekomandojnë disa zakone të shëndetshme, si aktiviteti fizik i rregullt, shmangia e përdorimit të ekraneve para gjumit, ushqyerja e shëndetshme dhe ekspozimi ndaj dritës natyrore në mëngjes.
Flaka
















