Sylvinho: Mundësia e Shqipërisë për Botërorin 2026 është historike
Sylvinho mund të jetë i vetmi trajner brazilian në Kupën e Botës 2026, pasi kombëtarja e Brazilit drejtohet nga italiani Carlo Ancelotti. Kjo ka tërhequr vëmendjen e medias në Amerikën Jugore, ku futbolli është pjesë e rëndësishme e kulturës.
Në një intervistë për ESPN Brasil, trajneri i Shqipërisë foli për mundësinë historike që ka skuadra shqiptare për të qenë pjesë e botërorit:
“Kjo mundësi është shumë e madhe për ekipin, federatën dhe të gjithë vendin. Shortet kanë qenë të vështira që nga Europiani. Le të përballemi me këto sfida. Do të nisim nga janari duke ndjekur futbollistët tanë dhe disa takime nga afër”, tha ai.
Shqipëria do të përballet me Poloninë në gjysmëfinalen e playoff më 26 mars në Varshavë. Fituesi i kësaj ndeshjeje do të luajë më pas më 31 mars me skuadrën që kalon në përballjen Ukrainë – Suedi.
Sipas Sylvinho-s, takime të tilla mund të vendosen nga episode:
“E njohim mirë Poloninë pasi kemi luajtur kohët e fundit. Kanë ndryshuar trajner, por lojtarët janë të njëjtë, të një niveli të lartë. Ata janë në një periudhë rindërtimi, ndërsa ne jemi në një periudhë përmirësimi. Avantazhe apo disavantazhe? Është e vështirë të flasësh rreth kësaj. Janë 90 minuta lojë, por gjithçka mund të vendoset në pak sekonda. Futbollistët tanë janë mësuar me ndeshje të tilla të vështira. Do të mbështetemi te cilësitë që kemi”, tha Sylvinho.
Flaka
















