Tetovë, më 16 korrik fillon Vera Kulturore
Ndërkaq, nga komuna e Tetovës kanë bërë të ditur se janë në konsultim edhe me Sektorin për Punë të Brendshme që disa rrugë në pjesën qendrore të qytetit të bllokohen në orët e mbrëmjes që këta aktivitete të zhvillon në atmosferë festive
Duke filluar nga 16 korriku sikurse viteve të kaluara edhe këtë vit do të mbahet Vera Kulturore. Gjatë kësaj kohe janë paraparë aktivitete të ndryshme sportive, artistike dhe kulturore, që nga koncertet muzikore, ekspozitat e artit, shfaqjet teatrale deri te netët e filmit. Nga komuna e Tetovës thonë se këta aktivitete janë tradicionale dhe kanë për qëllim të afrojnë qytetarët dhe kulturat e ndryshme që jetojnë në këtë komunë. Këtë vit për herë të parë do të ketë gara në not që do të mbahen më 16 dhe 17 korrik në pishinën e qytetit. “Më 18 korrik do të mbahet turneu i futbollit të maqedonasve tek Stadiumi i Qendrës sportive. Më 19 dhe 20 korrik do të mbahet turneu në Beach volley në Sheshin ‘Iliria’. Më 21 korrik do të mbahet Turneu i futbollit me mërgatën shqiptare, ndërsa poashtu më 21 korrik do të mbahet Festivali ndërkombëtar folklorik ‘Rudina Fest’. Më 22 korrik do të mbahet koncerti i Shoqërisë Kulturo-Artistike Xheladin Zeqiri grupi i fëmijëve. Më 23 korrik është nata rome, ndërsa të njejtën ditë në mbrëmje do të mbahet ekspozita e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Pjetër Bogdani. e titulluar ekspozitë për diasporën tek ish radio Tetova. Më 24 korrik është nata maqedone, kurse në objektin e ish radio Tetovës do të shfaqet dokumentari diaspora ‘Në objektivin e Ixhet Lutfiut’ roli i shqiptarëve të Danimarkës. Më 25 korrik do të jetë nata rome, ndërsa poashtu do të ketë edhe homazhe për nderë të Rafi Halilit. Më 27 korrik do të mbahet koncert për nder të mërgimtarëve nga SHKA ‘Xheladin Zeqiri’ dhe Festivali i Rinisë Tetovare N’Rrug Fest”, tha Besarta Ramadani, zëdhënëse e komunës së Tetovës.
Poashtu edhe në ditët në vazhdim, nga 27 korriku e tutje janë paraparë një sërë aktivitete kulturore, me artistë të njohur, ekspozita, promovim të librave e kështu me radhë. Krahas kësaj, është paraparë edhe performimi i artistëve tetovarë si Big Mama, Shkumbin Ismaili, Elita Ziberi e kështu me radhë. Ndërkaq, nga komuna e Tetovës kanë bërë të ditur se janë në konsultim edhe me Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë që disa rrugë në pjesën qendrore në Tetovë të bllokohen në orët e mbrëmjes që këta aktivitete të zhvillon në atmosferë festive dhe pa pengesa nga organizatorët por edhe qytetarët të jenë më të lirë. “Janë duke vazhduar konsultimet që disa rrugë në pjesën qendrore të Tetovës të mbyllen për qarkullim të automjeteve sidomos pas orës 20 që t`ju mundësohet qytetarëve të jenë më afër këtyre aktiviteteve. Shpresojmë që do të gjejmë gjuhë të përbashkët me policinë për këtë organizime”, nënvizoi zëdhënësja Ramadani. Vera kulturore do të përfundojë më 2 gusht me netët e filmit.
















