Van Dijk: Do të doja që Alisson të qëndrojë
Kapiteni i Liverpool FC, Virgil van Dijk, ka reaguar ndaj spekulimeve që lidhin portierin Alisson Becker me një transferim të mundshëm te Juventus FC.
Në një deklaratë për mediat, mbrojtësi holandez theksoi se aktualisht bëhet fjalë vetëm për thashetheme dhe se nuk ka asgjë konkrete.
“Gjithmonë do të ketë zëra. Nëse ka diçka konkrete, të gjithë do ta mësojmë. Por për momentin nuk jam i shqetësuar”, u shpreh Van Dijk.
Ai pranoi se largimet janë pjesë e pashmangshme e futbollit, por nënvizoi se nuk ka asnjë indikacion që Alisson po mendon për një largim në këtë fazë.
“Do të vijë një ditë kur lojtarët largohen, përfshirë edhe mua. Por nuk mendoj se ai ka një ide të tillë tani”, shtoi ai.
Van Dijk vlerësoi lart rolin e portierit brazilian në skuadër, duke e cilësuar si një nga liderët kryesorë dhe si portierin më të mirë në botë.
“Ai është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Shpresoj që të rikthehet sa më shpejt për katër ndeshjet e fundit, pasi ky është fokusi ynë tani”, deklaroi kapiteni i Liverpoolit.
Në fund, ai nuk e fshehu dëshirën për vazhdimin e bashkëpunimit: “A do të doja që ai të qëndrojë? Sigurisht, pa asnjë dyshim”.
Flaka
















