Vinícius Junior përballet me drejtësinë në Brazil pas festës së bujshme të ditëlindjes
Ylli i Real Madridit, Vinícius Junior, është vënë nën hetim nga autoritetet braziliane pas një ankese të bërë nga fqinjët për zhurmë të tepërt gjatë festës së tij të 25-vjetorit. Ngjarja u zhvillua nga 19 korriku deri në orët e para të 21 korrikut, në një rezidencë luksoze në Rio de Janeiro, e njohur për organizimin e eventeve të mëdha.
Sipas raportimeve të mediave braziliane, rreth 500 të ftuar morën pjesë në këtë festë, mes tyre edhe bashkëlojtari i tij te Real Madrid, Eduardo Camavinga. Festa përfshinte muzikë live, performanca artistike dhe spektakël fishekzjarrësh, duke e shndërruar eventin në një nga më të komentuarit e verës.
Çështja po trajtohet nga Gjykata e 9-të Speciale Penale e Rio de Janeiros, e cila merret me kundërvajtje të natyrës së tillë. Nëse shpallet fajtor, Vinícius mund të përballet me një gjobë për “prishje të qetësisë publike”.
Ky episod ka ngjallur diskutime të shumta në Brazil dhe Spanjë, duke vënë sërish në qendër të vëmendjes jetën jashtë fushe të sulmuesit brazilian, i cili prej kohësh shihet si një nga figurat më të rëndësishme të Real Madridit dhe kombëtares së Brazilit.
Flaka
















