Zhegrova lëndohet sërish, mungon në ndeshjen e Juventusit ndaj Comos
Problemet fizike nuk po e lënë të qetë Edon Zhegrovën. Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës ka pësuar një tjetër lëndim, këtë herë gjatë qëndrimit te Juventusi, dhe mungon në ndeshjen e Serie A ndaj Comos.
Trajneri kroat, Igor Tudor, publikoi listën e lojtarëve të grumbulluar për sfidën sot, ku mungonte emri i Zhegrovës, duke konfirmuar kështu shqetësimet për gjendjen e tij. Sipas raportimeve, bëhet fjalë për një tendosje muskulore në zonën e ijëve, një dëmtim që zakonisht kërkon deri në dy javë rikuperim.
Ky është një tjetër sinjal alarmi për lojtarin kosovar, i cili nuk ishte titullar as në ndeshjet e tetorit me Kombëtaren e Kosovës, duke u aktivizuar vetëm për disa minuta. Zhegrova, që u transferua këtë verë te Juventusi nga Lille, ka pasur vështirësi të gjejë vazhdimësi për shkak të problemeve fizike.
Nëse rikuperimi i tij nuk ecën sipas parashikimeve, ai rrezikon të humbasë edhe ndeshjet e ardhshme të rëndësishme të Juventusit, përfshirë ato në Champions League. Për momentin, stafi mjekësor i klubit po monitoron gjendjen e tij ditë pas dite.
Flaka
















