Zlatan ndez debatin: Topi i Artë duhej të ishte i Lamine Yamal
Legjenda suedeze e futbollit, Zlatan Ibrahimović, ka shprehur hapur mendimin e tij për fituesin e “Ballon d’Or 2025”. Në një intervistë për Gazzetta dello Sport gjatë Festivalit të Sportit në Trento, Ibrahimović tha se çmimi më prestigjioz individual në futboll duhej t’i jepej Lamine Yamal, i cili përfundoi i dyti pas Ousmane Dembélé.
“Duhet t’ia japësh lojtarit që ka bërë diferencën më shumë individualisht. Për mua, Yamal e bëri këtë. Ai e meritoi,” tha Ibrahimović.
Dembélé fitoi trofeun pasi udhëhoqi Paris Saint-Germain drejt triumfit të parë historik në Champions League, duke mbyllur sezonin me 35 gola dhe 16 asistime. Megjithatë, shumë figura të futbollit, përfshirë edhe Xavi Hernández, kanë theksuar se 18-vjeçari Yamal ishte lojtari që solli më shumë magji individuale në fushë.
Yamal, i cili fitoi për të dytin vit radhazi Kopa Trophy (çmimi për lojtarin më të mirë të ri), shihet si një nga talentet më të mëdha të futbollit botëror dhe shumëkush beson se është vetëm çështje kohe para se të ngrejë edhe “Topin e Artë”.
Deklarata e Ibrahimović ka ndezur diskutime të gjera në rrjetet sociale, ku tifozët janë ndarë mes atyre që mendojnë se statistikat dhe trofetë e Dembélé ishin vendimtare, dhe atyre që besojnë se ndikimi i Yamal ishte më i madh në nivel individual.
Flaka
















