200 mijë euro të padeklaruara në Tabanocë, gjashtë të arrestuar në aksionin kundër grupit kriminal
Një shtetas hungarez është ndaluar në pikën kufitare “Tabanocë” pasi tentoi të fuste në Maqedoninë e Veriut 200 mijë euro të padeklaruara.
Gjatë kontrollit të automjetit, doganierët kanë zbuluar paratë të fshehura në tri çanta të ndryshme. Sipas autoriteteve, 65 mijë euro janë gjetur pranë levës së ndërrimit të shpejtësive, 37.650 euro në një çantë shpine, ndërsa 97.350 euro në një valixhe, të fshehura mes rrobave.
Nga shuma totale, shtetasit hungarez i janë kthyer 10 mijë euro, ndërsa 190 mijë euro janë mbajtur nga autoritetet. Kundër tij është ngritur kallëzim për kundërvajtje.
Në një rast tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar për shpërbërjen e një grupi kriminal të dyshuar për kontrabandë mallrash dhe vepra penale të lidhura me korrupsionin.
Aksioni është zhvilluar më 21 shtator 2026, nën drejtimin e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, me pjesëmarrjen e Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë dhe Njësisë për Shpërndarje të Shpejtë.
Në kuadër të aksionit janë arrestuar gjashtë persona, ndërsa janë sekuestruar mbi 100 mijë euro, cigare dhe duhan pa pulla akcize, barna, suplemente, telefona celularë dhe sende të tjera.
Me urdhër të Gjykatës Themelore Penale në Shkup, janë kryer bastisje në disa lokacione në Shkup, Tetovë dhe Gjevgjeli. Gjatë kontrolleve janë gjetur edhe 16 pllaka me ngjyrë ari, si dhe një sasi e konsiderueshme barnash dhe suplementesh, për të cilat dyshohet se janë futur ilegalisht në vend.
Sipas MPB-së, kallëzim penal është ngritur ndaj tetë personave, të dyshuar për disa vepra penale, përfshirë kontrabandë, fshehje të mallrave kontrabandë, shmangie të pagesës së akcizës, marrje dhe dhënie ryshfeti, prodhim dhe qarkullim të mjeteve të dëmshme për mjekim dhe pastrim parash.
Hetimi ka konstatuar se aktivitetet e dyshuara kanë zgjatur nga viti 2024 deri në vitin 2026. Sipas MPB-së, grupi dyshohet se ka organizuar futjen, magazinimin dhe rishitjen e cigareve dhe duhanit, ndërsa përmes ryshfetit ndaj një zyrtari doganor dyshohet se është mundësuar kalimi i mallrave pa deklarim dhe pa pagesën e detyrimeve përkatëse.
Autoritetet pretendojnë se me këto veprime i është shkaktuar dëm buxhetit të shtetit përmes shmangies së detyrimeve doganore, akcizës dhe TVSH-së.
Përveç dëmit financiar, MPB-ja thekson se futja dhe qarkullimi i barnave dhe suplementeve pa autorizimet përkatëse paraqet edhe rrezik potencial për shëndetin e qytetarëve.
Hetimi për rastin vijon nën drejtimin e institucioneve kompetente. Gazeta Flaka










