Me ftesë të Vjosa Osmanit, kryeministri Xhaferi javën e ardhshme për vizitë në Prishtinë

Flaka
Botuar nga Flaka 13 Prill, 2024 10:04

Me ftesë të Vjosa Osmanit, kryeministri Xhaferi javën e ardhshme për vizitë në Prishtinë

Përkundër tensioneve të heshtura, në publik, midis Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe homologut të tij shqiptar nga Maqedonia e Veriut, kdp.mk mëson se kryeministri Talat Xhaferi, më në fund, fillim-javën e ardhshme do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Prishtinë. Mirëpo, vizita nuk bëhet me ftesë të shefit të ekzekutivit Kosovar, por të Presidentes Vjosa Osmani!

Arsyet për këtë ngurim takimi duhet parë në pozicionimin e Qeverisë së Kosovës pro bllokut opozitar VLEN, në Maqedoninë e Veriut. Burime të kdp.mk thonë se një iniciativë për takim, kabineti Kurti nuk e ka refuzuar, por duke ofruar që ai të realizohet diku në fillim të qershorit, “për të mos pasur implikime në procesin zgjedhor” në Maqedoninë e Veriut. Për ironi, në media është publikuar njoftimi se për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, Kryeministri i Kosovës dhe liderët e VLEN-it do të jenë tok në tubimet e javës së ardhshme në Gjermani dhe Zvicër.

Rikujtojmë se në listen e kandidatëve të VLEN-it për deputetë ka edhe tre përfaqësues të LVV-së, njëri prej të cilëve është këshilltar i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. 

Flaka
Botuar nga Flaka 13 Prill, 2024 10:04