Dronët iranianë të përdorur kundër Izraelit “mund të bëjnë kërdinë”, ja veçoritë e tyre

Flaka
Botuar nga Flaka 14 Prill, 2024 21:25 Përditësuar

Dronët iranianë të përdorur kundër Izraelit “mund të bëjnë kërdinë”, ja veçoritë e tyre

Irani ka nisur dhjetëra dronë dhe raketa balistike drejt Izraelit, duke kryer një sulm të pashembullt kundër armikut të tij të përbetuar.

Në mesin e dronëve të përdorur në sulmin e 13 prillit, sipas mediave shtetërore iraniane, kanë qenë dronët iranainë Shahed-136 dhe Shahed-131.

Këta dronë vetëvrasës janë përdorur prej grupeve militantëve pro Iranit, në Lindje të Mesme. Teherani është akuzuar edhe për dërgimin e tyre në Rusi, që ajo më pas t’i përdorë në luftën në Ukrainë.

A janë dronët efektivë?

Dronët vetëvrasës Shahed-136 dhe Shahed-131, janë të lirë, mirëpo efikas, sipas ekspertëve. Për shkak të pajisjeve që përdoren për krijimin e tyre, dhe zhurmës që lëshojnë kur nisin fluturimin, ata njihen me emra tallës si “kositëset e lëndinave” apo “motoçikleta”.
Megjithatë, këta dronë që ngjiten në lartësi të ulëta dhe shkatërrohen kur të prekin cakun, kanë dalë të jenë efektivë si në aspektin ushtarak, ashtu edhe në atë të çmimit.

“Ata mund të bëjnë gërvishtje kur të nisen”, ka thënë Samuel Bendett prej Qendrës për Analiza Detare, me bazë në Virgjinia.

John Krzyzaniak, hulumtues në Projektin Uiskonsin për Kontrollin e Armëve Bërthamore, ka thënë se dronët iranianë, sikurse Shahed-136, “mund të bëjnë kërdi” nëse lëshohen të shumtë në numër.

Sa larg mund të arrijnë?

Shkalla e tyre operacionale dallon, mirëpo Irani deklaron se dronët Shahed-136 mund të udhëtojnë deri në 2.500 kilometra. Kjo e ka vënë Izraelin, që gjendet rreth 1.000 kilometra larg Iranit, brenda rrezes së sulmit.

Ushtria izraelite ka thënë se Irani ka nisur rreth 170 dronë, dhe të gjithë janë rrëzuar. Modeli tjetër më i vogël dhe më i vjetër Shahed-131, vlerësohet se mund të udhëtojë në deri 900 kilometra.

I lansuar më 2021, Shahed-136 mund të fluturojë në shpejtësi maksimale në 185 kilometra në orë, duke e bërë të cenueshëm ndaj vëzhgimit. Edhe pesha që mund të mbajë – rreth 50 kilogramë – e bën më të kufizuar.

A ka Irani dronë tjerë?

Irani është bërë i njohur së fundi për prodhim të dronëve. Ai prodhon edhe dronët luftarakë më të avancuar, përfshirë Mohajer-6, si dhe Shahed-129 dhe Shahed-191.

Jeremy Binnie, specialist i Lindjes së Mesme në fushën e mbrojtjes, e ka përshkruar Shahed-129 si “dronë mbikëqyrjeje dhe sulmi me qëndrueshmëri të gjatë”.

Droni Mohajer-6 mund të kryejë sulme në rreze prej 200 kilometash.

Ky dron, sipas Binniet përdoret për “të depërtuar thellë në zonat e mbrojtura mirë”.

Më 2022, Irani e ka themeluar një fabrikë dronësh për dronët sulmues Ababil-2 në Taxhikistan, fabrikën e parë të tillë të Teheranit jashtë shtetit.

Kush tjetër përdor dronët iranianë?

Irani është duke përdorur secilën herë e më shumë dronët e vet jashtë kufijve. Ekspertët besojnë se Teherani i ka përdorur ata për operacione të sabotimit, zbulimit dhe sulmit në rajon.

Irani i ka furnizuar me dronë edhe rrjetet e veta në Lindje të Mesme, përfshirë grupet militante në Irak, Siri dhe Jemen.

Rebelët Huthi në Jemen pretendojnë se kanë lansuar dronë kundër Izraelit në muajt e fundit.

Milicitë pro Iranit në Irak dhe Siri, ndërkohë, kanë lansuar sulme me dronë kundër forcave amerikane. Analistët kanë thënë se dronët i kanë bërë këto grupe më të paparashikueshme.

Irani është akuzuar për dërgim të mijëra dronëve Shahed-129 dhe Shahed-191 në Rusi, duke forcuar fushatën ushtarake të Moskës në Ukrainë.

Teherani dhe Moska i hedhin poshtë këto supozime.

Zyrtarët amerikanë e kanë akuzuar vazhdimisht Teheranin se e ka furnizuar Rusinë me dronë Shahed-136 për të shkatërruar infrastrukturën civile në Ukrainë.

Ka të dhëna që dronët iranianë janë ribrenduar si dronë rusë Geran-2 për t’u përdorur në fushëbetejë.

Republika islamike është akuzuar se ia ka shituar dronët luftarakë edhe ushtrisë në Sudan, vend i përfshirë në një luftë civile shkatërruese.

Ushtria izraelite thërret rezervistët për operacionet tjera në Gazë

Ushtria izraelite ka thënë të dielën se shumë shpejt do t’i thërrasë dy divizione të rezervistëve për operacione në Gazë, ku është duke e luftuar Hamasin, grupin palestinez të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

“Në përputhje me vlerësimet e situatave, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit do të thërrasin dy brigada me rezervistë për aktivitete operacionale në frontin në Gazë”, ka thënë ushtria, pa ofruar më shumë hollësi.

Më herët gjatë këtij muaji, Izraeli e ka tërhequr një pjesë të forcave prej Gazës, duke thënë se trupat do të përgatiten për operacione tjera në atë territor, përfshirë zonën jugore, Rafah, ku janë strehuar më shumë se 1 milion palestinezë, të ikur prej zonave tjera të luftës.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është zotuar për evakuim të civilëve prej Rafahut, para nisjes së ndonjë ofensive, me qëllim të shkatërrimit të batalioneve të Hamasit, mirëpo ka bërë pak për të ulur shqetësimet ndërkombëtare lidhur me sulmet e planifikuara.

Lufta në Gazë është nxitur prej sulmeve të Hamasit në komunitetet izraelite në zonat kufitare më 7 tetor, duke vrarë rreth 1.200 njerëz, dhe duke marrë rreth 240 pengje.

Izraeli beson se 130 pengje janë ende në Gazë ndërsa të paktën 34 kanë vdekur.

Si pasojë e ofensivës izraelite kundër Hamasit në Gazë – me qëllim të shkatërrimit të grupit – janë vrarë më shumë se 33.600 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë.

Irani mbështet Hamasin dhe disa rrjete tjera luftarake në rajon, përfshirë Hezbollahun në Liban, të cilat kryejnë sulme të shpeshta kundër izraelitëve./REL.

Flaka
Botuar nga Flaka 14 Prill, 2024 21:25 Përditësuar