Shkencëtarët kinezë pretendojnë se kanë gjetur kurën për diabetin
Shkencëtarët kinezë pretendojnë se e kanë shëruar një njeri 59 vjeç, i cili vuante nga diabeti i tipit 2.
Pacienti ka bërë një lloj terapie qelizore në vitin 2021 dhe që nga atëherë nuk i është dashur të marrë ilaçe, raporton The Sun.
“Kjo gjë shpërfaq avancim të rëndësishëm në fushën e terapisë së diabetit”, ka thënë profesori Timothy Kieffer, nga Universiteti British Columbia në Kanadë, i cili nuk ishte i përfshirë në studim.
Pacienti ishte diagnostikuar me diabet të tipit 2 më shumë se 25 vjet më parë dhe është përballur me komplikime të ndryshme.
Ani pse transplantoi veshkën në vitin 2017, ai humbi gati të gjithë funksionin e pankreasit, i cili rregullon nivelin e sheqerit në gjak.
Si rezultat ai mbështetej tek injeksionet e insulinës, të cilat i merrte disa herë në ditë.
Shkencëtarët në Shangai të Kinës, morën qelizat e gjakut të pacientit në mënyrë që të krijonin qeliza burimore, të cilat pastaj u konvertuan në qeliza që prodhonin insulinën, e cila mban nën kontroll nivelin e sheqerit në gjak.
Këto qeliza u transplantuan te pacienti në korrik të vitit 2021 dhe brenda 11 javësh atij nuk iu deshën më injeksionet me insulinë.
Ai gradualisht filloi të reduktonte ilaçet që merrte për mbajtjen e bilancit të sheqerit në gjak dhe 12 muaj pas ndërhyrjes ndaloi të merrte të gjitha këto ilaçe.
“Ekzaminimet që bëmë pas ndërhyrjes kanë treguar se funksioni i pankreasit të pacientit u rikthye në mënyrë efektive dhe funksioni i veshkave iu u rikthye në normalitet”, ka thënë Hao Yin, nga spitali Changzheng në Shangai, i cili gjithashtu ka cekur se rezultate e tilla tregojnë se ky trajtim mund të parandalojë progresin e komplikimeve që ndodhin në organizëm si pasojë e diabetit.
Profesori Kieffer ka thënë se kjo është hera e parë që terapia me qeliza burimore u përdor për të shëruar diabetin e tipit 2.
“Teknologjia jonë ka avancuar dhe ka thyer kufijtë në medikamentet regjeneruese për trajtimin e diabetit”, ka thënë Yin.
Ekipi tani shpreson që ta përdor këtë terapi edhe në të tjerë pacientë me diabet.
Hulumtimi u publikua në gazetën Cell Discovbery.