Ligji për Gjuhët së shpejti nën llupën e Gjykatës Kushtetuese

Flaka
Botuar nga Flaka 4 Shtator, 2024 15:41

Ligji për Gjuhët së shpejti nën llupën e Gjykatës Kushtetuese

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve së shpejti do të jetë nën llupën e Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar nenet kontestuese për të cilat, para organit më të lartë gjyqësor në vend, janë dorëzuar 13 iniciativa, njëra prej të cilave nga VMRO-DPMNE-ja gjatë kohës derisa ka qenë në opozitë.

Ligji, sipas dorëzuesve të iniciativave, është antikushtetues pasi sipas tyre, me të njëjtin parashikohet që gjuha shqipe të jetë gjuhë e dytë zyrtare, në të gjitha institucionet e pushtetit qendror.

Kjo, mes tjerash parashikohet në nenin 2 të ligjit ku theksohet se organet shtetërore dhe lokale detyrohen që të komunikojnë në të gjitha procedurat përveç maqedonishtes edhe në shqip.

“Në institucionet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë nga neni 1 paragrafi (3) i këtij ligji, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj është edhe gjuha të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabeti i saj në: komunikim, përdorim dhe zbatim në të gjitha procedurat e qytetarëve para të gjitha organeve të cilat e përbëjnë pushtetin shtetëror…”, thuhet në nenin 2, paragrafi 3, i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve

Megjithatë, kjo në një sërë institucionesh nuk është zbatuar. Çështje e kontestueshme mbetet edhe zbatimi i ligjit në procedurat gjyqësore, për çka edhe Komisioni i Venecias ka dhënë kritika, pasi sipas tyre, obligimet që dalin nga ky nen janë joreale dhe të shtrenjta për t’u zbatuar, pasi vetë institucionet duhet të sigurojnë mjete për përkthyesit.

“Në procedurat gjyqësore, administrative, ekzekutive, procedurat për ekzekutimin e sanksioneve, procedurat parahetimore dhe hetimore, procedurat penale dhe të kundërvajtjes, procedurat kontestimore dhe jashtëkontestimore, si dhe procedurat tjera para gjykatave, prokurorive publike, si dhe të gjitha organeve, trupave dhe institucioneve, zbatohet gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik, si dhe gjuha që e flasin së paku 20% e qytetarëve dhe alfabeti i saj”, thuhet në Nenin 9 të Ligjit për Zbatimin e Gjuhëve.

Kontestuese dhe e pazbatuar mbetet edhe neni 8, në të cilin, mes të tjerash parashikohet përdorimi i shqipes në kartëmonedha dhe uniforma.

“Kartëmonedhat dhe monedhat, si dhe pullat postare do të përmbajnë simbole që e përfaqësojnë trashëgiminë kulturore të qytetarëve që e flasin gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve dhe alfabetin e saj.

Uniformat e policisë, të zjarrfikësve, të shëndetësisë; në Shkup dhe në komunat në të cilat së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase janë të shkruara në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% të qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe alfabetin e saj”, thuhet në Nenin 8, paragrafi 1 dhe 3. 

Flaka
Botuar nga Flaka 4 Shtator, 2024 15:41