Reagon VLEN: Partia “non-grata” po shqetësohet për shërbimet sekrete

Flaka
Botuar nga Flaka 20 Shkurt, 2025 14:25

Reagon VLEN: Partia “non-grata” po shqetësohet për shërbimet sekrete

BDI dhe zëdhënësi i saj, Krenar Lloga, kanë reaguar për mospërfaqësimin e shqiptarëve në pozitat udhëheqëse në shërbimet sekrete.

Ta kujtojmë BDI-në se ishte pikërisht kjo parti, e cila në vitin 2011, duke qenë pjesë e qeverisë Gruevski, votoi në mbledhjen e qeverisë sistematizimin e ri të Agjencisë së Zbulimit, duke e shkrirë de jure pozitën e zëvendësdrejtorit. Pra, ishte BDI ajo që e la këtë agjenci pa zëvendësdrejtor, pozitë të cilën, për ironi të fatit, në atë kohë e mbante një funksionar i saj.

Sa i përket Shërbimit të Zbulimit Ushtarak, ta kujtojmë BDI-në se kjo strukturë, si pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes, kurrë nuk ka pasur asnjë udhëheqës shqiptar. Numri i shqiptarëve në këtë shërbim është në nivel minimal, dhe gjatë kohës kur Talat Xhaferi ishte ministër i Mbrojtjes, nuk arriti të ndryshojë asgjë në këtë situatë.

Ndërkohë, ju informojmë se zëvendësdrejtori i Agjencisë Nacionale për Siguri, deri dje kuadër i BDI-së, sapo i ka përfunduar mandati dhe procesi për emërimin e një zëvendësdrejtori të ri është në procedurë e sipër. VLEN po punon për një zgjidhje profesionale dhe një figurë me integritet.

BDI tani u kujtua të flasë për shërbimet sekrete, ndonëse ishte pikërisht kjo parti që lejoi nëpërkëmbjen e shqiptarëve në këto shërbime, veçanërisht në kohën e Sasho Mijallkovit. Ish-numri dy i BDI-së madje arriti ta shpëtojë atë nga gjyqësori si të “pafajshëm”.

Gjithashtu, duhet theksuar se ky shërbim ua pamundësoi shumë shqiptarëve pajisjen me certifikatë sigurie, duke bërë që shumica e tyre të humbnin edhe vendet e punës.

VLEN po punon intensivisht për krijimin e një shërbimi sekret modern, duke bashkuar Agjencinë e Zbulimit (AZ) dhe Agjencinë Nacionale për Siguri (ANS). Ky shërbim do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe pozita e dytë e tij do t’i takojë një profesionisti shqiptar.

Flaka
Botuar nga Flaka 20 Shkurt, 2025 14:25
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media