Ndryshimet kushtetutuese, flasin Taravari e Mexhiti: I kemi numrat, 85/90 deputetë!
Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari nga VLEN, në PressCast ka deklaruar se kjo qeveri i ka numrat për të miratuar ndryshimet kushtetuese.
“Në negociatat e para VLEN-VMRO-DPMNE flas pas 8 majit, kërkesa jonë ka qenë top prioritet janë eurointegrimet, zhvillimi ekonomik, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe decentralizimi. Pra, këto kanë qenë katër pikat kryesore. Për këtë mandat katër vjeçar të VLEN-it e arritura më e madhe e jona do të ishte vazhdimi i rrugëtimit evropian”, tha Taravari.
Ai shtoi tutje që për këtë gjë duhet garancë dhe pjesa tjetër mbulohet pa problem.
“Me kryeministrin më së shumti kemi biseduar për integrimin e vendit. Zgjedhje në Parlamentin Evropian, zgjedhje në SHBA, zgjedhje në Bullgari, pra kishim ngjarje të ngjeshura, që nuk do mend që ndikojnë në këtë proces. E vetmja gjë që më jep shpresa është fakti që kryeministri çdo kund është deklaruar që të ecim sa më shpejt drejt BE-së. Nëse sot arrihet marrëveshje apo kompromis ne i kemi numrat pra, kemi 85 apo edhe 90 deputet. Kryeministri i vendit kërkon vetëm garancë që kjo do të jetë kërkesa e fundit”, përfundoi Taravari.
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti tha se nuk hapet Kushtetuta vetëm për stemën, himnin dhe gjuhën shqipe, në pako duhet të jetë edhe çështja e futjes së bullgarëve në Kushtetutë.
Në një intervistë për Racin, Mexhiti tha se për momentin nuk ka as negociata dhe as marrëveshje politike për hapjen e kushtetutës, por kur të hapet, punët do të duhet të diskutohen në pako.
“Nëse bëhet fjalë për stemën që e ka origjinën nga koha e komunizmit, edhe himni e ka origjinën prej atëherë, njëkohësisht rri pezull edhe çështja e gjuhës shqipe. Të gjithë e dijnë se gjuha që e flasin mbi 20 përqind e qytetarëve është gjuha shqipe dhe mendoj se duhet që edhe bashkësia më e madhe, maqedonasit, të punojnë në këtë që shqiptarët të mos ndjehen të poshtëruar dhe të identifikohen me numër për gjuhën e tyre, por të qëndrojë në kushtetutë se bëhet fjalë për gjuhën shqipe në nivel republikan. Mendoj se prej kësaj askush nuk humb asgjë. Por për më tej. Nëse hapet duhet të hapen në pako, por marrëveshje politike kemi për çështje të tjera, për program qeveritarë. Në parim për futjen e bullgarëve në Kushtetutë askush nuk ka asgjë kundër. Dilema është vetëm nëse kjo do të jetë kërkesa e fundit”, tha Izet Mexhiti, Zëvendëskryeministër i parë.