Shëndetësisë i mungojnë rreth 100 anesteziologë

Flaka
Botuar nga Flaka 9 Mars, 2025 22:29

Shëndetësisë i mungojnë rreth 100 anesteziologë

Sistemi shëndetësor po përballet me mungesë të theksuar të anesteziologëve. Vendit i mungojnë rreth 100 anesteziologë, ndërsa mungesë më të madhe ka në gjashtë qytete të vendit. Ministria e Shëndetësisë thotë se për vitin 2025 kanë miratuar 41 specializime për anesteziologë, ndërsa momentalisht 85 mjekë janë duke kryer specializimet për këtë fushë.

“Sa i përket numrit të specialistëve të anesteziologjisë që mungojnë në institucionet shëndetësore publike, ai numër është rreth 100. Mungesë të anesteziologëve ka në Kumanovë, Kavadar, Dibër, Kërçovë, Gjevgjeli dhe Veles. Ndërsa sipas të dhënave që disponon sektori i i Kujdesit Shëndetësor sekondar dhe terciar, në Kirurgjinë Maksilofaciale ka më shumë mungesë të mjekëve anesteziologë”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Shefi i Katedrës së anesteziologëve në Klinikën e anestezisë, kujdesit intensiv dhe reanimacionit Andrijan Kartallov, tha për Alsat se nevoja për anesteziologë është e madhe.

“Nevoja për anesteziologë rritet, sikurse për mbulimin e kujdesit intensiv, për sallat operative dhe procedurat ambulatore. Konkretisht, numri i kujdesit intensive në shtet rritet dhe për këtë nevoja është e madhe për anesteziologë. Unë para disa kohësh kam qenë kryetar i Shoqatës së anesteziologëve dhe numri i tyre në shtet para 7-8 viteve ishte diku rreth 15-20 anesteziologë ndërsa tani numri është diku mes 25 dhe 30 anesteziologë”, tha Andrijan Kartallov, Shef i katedrës së anesteziologëve .

Kartallov thotë se për momentin Klinika ka nevojë për rritjen e shtretërve në repartin e kujdesit intensiv si dhe të hapet repart për kujdes intensiv internist, pasi numri i pacientëve është shumë i lartë. Mungesa e anesteziologëve, detyron anesteziologët e Klinikës së anestezisë të shkojnë nga njëra klinikë në tjetrën për të ju shërbyer pacientëve. Anesteziologët e kësaj klinike, përveç që mbulojnë klinikat tjera në Shkup, mbulojnë edhe klinikat e shumë qyteteve tjera.

Flaka
Botuar nga Flaka 9 Mars, 2025 22:29