Tre persona të tjerë të lënduar mbërritën në Kroaci për trajtim
Tre persona tjerë të lënduar rëndë nga zjarri në një klub nate në Maqedoninë e Veriut kanë mbërritur sot në Kroaci me helikopter të Forcave Ajrore Kroate, raporton Anadolu.
Të martën dy të lënduar janë transportuar dhe janë pranuar në të njëjtën klinikë.
Ekuipazhi katër anëtarësh i helikopterit të Forcave Ajrore Kroate së bashku me ekipin pesë anëtarësh të mjekësisë ushtarake të Ushtrisë Kroate i morën pacientët në Shkup dhe i transportuan me sukses në kazermën “Kolonel Marko Zhivkoviq” në Pleso, njoftoi Ministria e Mbrojtjes së Kroacisë.
Pas uljes së helikopterit, pacientët u morën nga ekipi i ndihmës mjekësore emergjente të Zagrebit dhe u transportuan në Qendrën Spitalore Klinike “Motrat e Mëshirës” në Zagreb për trajtim të mëtejshëm.
Helikopteri i Forcave Ajrore Kroate është dërguar për të ofruar ndihmë humanitare për Maqedoninë e Veriut në bazë të urdhrit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes, Ivan Anushiq, në përputhje me vendimin e Qeverisë dhe me pëlqimin paraprak të Presidentit të Kroacisë.
Aksioni është kryer pasi Maqedonia e Veriut aktivizoi mekanizmin e Bashkimit Evropian për mbrojtje civile dhe kërkoi ndihmë për evakuimin e pacientëve me djegie të rënda nga zjarri.
Nga zjarri në klubin e natës në Koçan, i shkaktuar nga mjetet piroteknike, humbën jetën 59 persona ndërsa 178 janë lënduar, prej të cilëve të paktën 20 janë në gjendje të rëndë.
Pas tragjedisë në Koçan, në Maqedoninë e Veriut është shpallur shtatë ditë zie.