Shtatë personat e lënduar nga zjarri në Koçan do të transportohen në Spanjë

Flaka
Botuar nga Flaka 20 Mars, 2025 23:53

Shtatë personat e lënduar nga zjarri në Koçan do të transportohen në Spanjë

Dy spitalet publike në Madrid të Spanjës do të marrin për trajtim shtatë persona të lënduar nga zjarri i tmerrshëm në një lokal nate në qytetin e Koçanit të Maqedonisë, të cilët pritet të mbërrijnë së shpejti, njoftuan të përditshmet spanjolle “ABC Madrid” dhe “20Minutos”, duke cituar informacione të konfirmuara nga zëdhënësi i qeverisë spanjolle, Miguel Angel Garcia Martin.

Nga shtatë transferimet që priten së shpejti, pesë do të shkojnë në spitalin në “La Paz” dhe dy në spitalin Getafe, i cili është një qendër e njohur ndërkombëtarisht për trajtimin e djegieve. Së shpejti pritet ardhja e këtyre pacientëve dhe spitalet kanë gjithçka gati për ta.

Gazeta spanjolle në edicionin e djeshëm, ndër të tjera, thekson se numri i të vdekurve në këtë incident është mbi 50, ndërsa numri i të lënduarve i kalon 150. Nga flakët apo tymi kanë humbur jetën të rinj, mes të cilëve edhe futbollisti 25-vjeçar Andrej Lazarov. Ai, si të tjerët, vdiq duke u përpjekur të shpëtonte njerëzit e tjerë në klubin e natës.

Gazeta “20Minutos” raporton se repartet e djegieve të spitaleve publike në La Paz dhe Getafe do të presin në ditët në vijim shtatë persona nga Maqedonia e Veriut, të cilët u lënduan rëndë nga zjarri që shpërtheu gjatë një festë në një lokal nate në qytetin verilindor të Koçanit fundjavën e kaluar. Ky incident tragjik mori jetën e afro 60 personave, u lënduan mbi 155 persona në shkallë të ndryshme dhe çoi në 15 arrestime për shkak të kushteve të parregullta në klubin e natës.

Flaka
Botuar nga Flaka 20 Mars, 2025 23:53
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media