23 Prilli – Dita Ndërkombëtare e Librit, shënohet në Universitetin e Evropës Juglindore – Shkup
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtës së Autorit, më 23 Prill 2025, në Universitetin e Evropës Juglindore – kampusi në Shkup, u organizua një aktivitet kulturor-informues, i cili vuri në qendër rëndësinë e librit dhe promovimin e leximit në mesin e studentëve, pedagogëve dhe stafit akademik.
Ngjarjen e hapi Drejtori i kampusit në Shkup, Prof. Dr. Veland Ramadani, i cili në fjalimin e tij theksoi rolin kyç të leximit në zhvillimin intelektual të të rinjve dhe rëndësinë e librit si pasuri e dijes dhe shpirtit.
Bibliotekistja Silvete Osmani mbajti një prezantim me fokus në Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe rëndësinë e saj, ku theksoi rolin e librit si një mjet i paçmueshëm për shpërndarjen e dijes. Libri, sipas saj, është një urë që na lidh me të kaluarën, na ndriçon të tashmen dhe na orienton drejt së ardhmes. Ai vepron si udhërrëfyes në formimin e mendimit kritik dhe të aftësisë për të argumentuar, duke na ftuar të shohim botën përtej realitetit tonë të përditshëm dhe të zhvillojmë një perceptim më të thellë dhe gjithëpërfshirës për rrethin që na rrethon. Në një epokë të informacionit të shpejtë dhe të pakontrolluar, libri mbetet një burim që kërkon angazhim, përqendrim dhe reflektim të vërtetë.
Pjesë e rëndësishme e programit ishte paneli letrar me temën: “Libri si pasuri e mendjes dhe shpirtit: Si ndërtohet një shoqëri lexuese”, me panelistë Mimoza Mustafai Jonuzi – profesoresh, shkrimtare, publiciste, Sihana Nesimi – pedagoge e letërsisë, Era Gjakova – PhD Studente dhe gazetare, Nebahate Qaili – Bibliotekiste, Zera Shaqiri – Koordinatore e “Book Club”, Shkup, ku u diskutua mbi ndikimin e librit në ndërtimin e shoqërisë dhe sfidat e kohës moderne ndaj leximit aktiv.
Në fund të aktivitetit, u mbajt edhe një ceremoni mirënjohjeje, ku u ndanë çertifikata dhe falënderime për lexuesit më të dalluar dhe të gjithë kontribuesit dha dashamirësit e librit, leximit dhe shkrimit.