A duhet të shfaqet PR-i në publik?
Analizë nga Driton Zenku
Ne kontekstin e fushatave politike moderne, roli i Public Relations (PR) ka kaluar nga nje funksion i pasaktë në një instrument strategjik me ekspozim të kontrolluar. Rasti i fundit i fushatës së Partisë Demokratike nëShqiperi, ku Chris LaCivita, një strateg i njohur amerikan, u prezantua publikisht dhe u përfshi aktivisht në komunikim me publikun, ngre pyetjen: A duhet te shfaqet PR-i në publik?
Po, por me kufizime dhe në funksion të strategjisë së fushatës
Tradicionalisht, PR ka funksionuar si “arkitekti i heshtur” i fushates politike: hartues i mesazheve, udhëzues i kandidatëve dhe menaxher i krizave. Por zhvillimet në komunikimin modern dhe rritja e medias së pavarur kanë ndryshuar rolin e PR-it. Në disa raste, prania publike e PR-it mund të jetë vendimtare.
Teori dhe modele të komunikimit politik
1. Modeli i dy-hapesheve i Katz & Lazarsfeld: Ky model sugjeron se informacioni kalon përmes “liderëve të opinionit” dhe jo drejtperdrejt nga media te publiku. Në mungesë të zedhenesve efektivë, PR mund të shfaqet si ky lider i ndërmjetëm.
2. Komunikimi si performance (Erving Goffman): Në këtë teori, çdo dalje publike ështe një “shfaqje”. PR që del në publik duhet të jetë i afte jo vetem të artikuloje mesazhe, por edhe të performojë me kompetence politike dhe emocionale.
Shembuj ndërkombëtarë:
- Kellyanne Conway (SHBA): Si keshilltare e Presidentit Trump, ajo shpesh dilte në publik për të mbrojtur politikat e administrates, duke luajtur rol te dyfishtë – strategjik dhe zëdhënës.
- Alastair Campbell (Britani): Drejtues i komunikimit per Tony Blair, doli në publik kur ishte e nevojshme për të mbrojtur qeverinë dhe për të kontrolluar narrativën.
Rasti i LaCivita-s në Shqipëri
Prezenca publike e Chris LaCivita-s në fushatën e PD-së ishte një risi në politiken shqiptare. Ai u shfaq si një figurë me kredibilitet ndërkombetar dhe me eksperiencë në menaxhimin e mesazhit politik. Ky veprim ishte:
- Strategjik: Ofronte disiplinë dhe profesionalizem në komunikim.
- Riskant: Mund të perceptohej si i huaj, pa lidhje emocionale me elektoratin shqiptar.
Mospublikimi i kontratës mund ta dëmtojë fushatën
Mospublikimi i kontratës për angazhimin e Chris LaCivita-s nga Partia Demokratike mund ta dëmtojë fushatën, veçanërisht në disa aspekte thelbësore të perceptimit publik dhe transparencës politike:
Pse mungesa e transparencës është problematike?
- Rrit mosbesimin publik – Në një klimë politike të polarizuar dhe me nivel të ulët të besimit te partitë, mungesa e informacionit nxit dyshime mbi qëllimet, financimin dhe ndikimet e huaja.
- Ushqen narrativën e ndikimit të jashtëm – Nëse një strateg amerikan flet në emër të një partie shqiptare dhe nuk bëhet e ditur natyra e marrëdhënies së tij me partinë (kush e paguan, për çfarë shërbimesh, me çfarë kompetencash), perceptimi se politika po “importohet” nga jashtë forcohet.
- Dëmton etikën e llogaridhënies publike – Kontratat me konsulentë politikë, sidomos të huaj, janë çështje me interes publik. Partitë kanë detyrim moral (dhe në disa vende ligjor) të publikojnë të dhëna për shpenzimet dhe marrëveshjet me këshilltarë të jashtëm.
Kur PR duhet të dalë në publik?
- Në raste krize apo kur ka akuza serioze.
- Kur nuk ka një zëdhenës efektiv të fushatës.
- Kur komunikimi i sofistikuar kërkon eksperiencë teknike dhe kredibilitet.
- Në evenimente me publik diplomatik ose media ndërkombëtare.
Kur PR duhet të rrijë në prapaskenë?
- Gjate hartimit të strategjive dhe planifikimit të komunikimit.
- Në menaxhimin e komunikimit me median dhe monitorimin e opinionit publik.
- Për të trajnuar kandidatët dhe për të keshilluar lidershipin.
LaCivita: Ndërhyrja amerikane në politikën shqiptare ishte e mirëpritur
Megjithatë, angazhimi i LaCivita-s nuk mbeti pa polemika. Ne disa media u publikuan pergjime ku ai fliste per shqiptarët si nje popull me “mendësi tjetër” dhe ku shprehte se ndërhyrja amerikane në politikën shqiptare ishte e mirëpritur. Këto qëndrime ngritën dyshime mbi qasjen e tij strategjike dhe respektin ndaj realitetit lokal. Reagimet publike nuk munguan: figura të opozitës e mbrojtën si një profesionist që po sillte një standard të ri në komunikimin politik, ndërsa zëra nga shoqëria civile dhe media e pavarur e kritikuan për qëndrime të cilësuara si arrogante dhe të huazuara nga një realitet politik i panjohur për Shqipërinë. Kjo krijoi polarizim mbi rolin e aktorëve të jashtëm në diskursin politik vendas. Në njëfarë mënyre, LaCivita foli me zërin e Amerikës — jo vetëm si përfaqësues i një kulture tjetër politike, por edhe si simbol i ndikimit strategjik amerikan në rajon.
Ky fenomen mund të shihet edhe përmes lentes së teorisë së “imperializmit kulturor” (Herbert Schiller), e cila sugjeron se eksportimi i modeleve të komunikimit dhe praktikave politike nga superfuqitë në vende më të vogla shpesh shoqërohet me dominim simbolik dhe hegjemonik. Për rrjedhojë, PR-i i huaj që flet në publik jo gjithmonë perceptohet si mbështetës neutral, por si instrument i një narrative të jashtme me interesa të veta. Në këtë kontekst, shfaqja publike e një PR-i të huaj mund të sjellë jo vetëm profesionalizëm, por edhe një rrezik të perceptimit kolonial ose paternalist, që mund të dëmtojë besueshmërinë e fushatës që përfaqëson.
A i fiton PR-i zgjedhjet?
PR-i nuk i fiton zgjedhjet në mënyrë të drejtpërdrejtë, por pa një PR të mirë, zgjedhjet vështirë se fitohen. Komunikimi politik është sot një komponent kyç i suksesit elektoral – ai formëson perceptimin, mobilizon mbështetjen dhe neutralizon krizat.
Megjithatë, PR-i është një mjet, jo qëllim në vetvete. Ai funksionon në sinergji me përmbajtjen politike, vizionin programor, integritetin e kandidatit dhe mobilizimin në terren. Në fund, zgjedhjet i fiton besimi – dhe PR-i është arkitekti i mënyrës se si ky besim ndërtohet dhe komunikohet.
Balanca është çelësi!
Në analizën profesionale të rolit të PR-it në publik, është thelbësore të kuptojmë se vendimmarrja për ekspozimin publik të tij duhet të bazohet në një vlerësim të kujdesshëm të kontekstit politik, kulturor dhe strategjik. Në vende me tradita të brishta demokratike ose me ndjeshmëri ndaj ndikimeve të jashtme, si Shqipëria, një PR i huaj që flet në emër të një fushate mund të jetë një armë me dy tehe.
Nga njëra anë, ai mund të sjellë ekspertizë të nivelit të lartë dhe të ngrejë standardet e komunikimit politik. Nga ana tjetër, rrezikon të perceptohet si imponim, duke cënuar autenticitetin dhe sovranitetin e fushatës.
Pra, shfaqja publike e PR-it duhet të jetë pjesë e një strategjie të mirëkalkuluar, ku transparenca, përshtatja me realitetin lokal dhe ndjeshmëria kulturore janë parime udhëheqëse. Vetëm kështu PR mund të ruajë funksionin e tij si urë komunikimi dhe jo të kthehet në një burim përçarjeje ose mosbesimi në publik.