Fryma e Arbën Xhaferit si busull: ASH Dibër kërkon pajtim dhe fillim të ri

Flaka
Botuar nga Flaka 10 Maj, 2025 16:35

Fryma e Arbën Xhaferit si busull: ASH Dibër kërkon pajtim dhe fillim të ri

Dibër, 10 maj 2025 – Dega e Aleancës për Shqiptarët në Dibër, bashkë me anëtarin e kryesisë Bekim Pocesta, ka dalë me një deklaratë publike ku u bën thirrje të gjithë anëtarëve, simpatizantëve dhe strukturave të partisë që të reflektojnë dhe të punojnë për ribashkimin e forcave, pavarësisht përkatësisë aktuale fraksionare, shkruan Flaka

Në kumtesë rikujtohet ndarja e dhimbshme që ndodhi një vit më parë, duke theksuar se ajo ka lënë plagë të thella emocionale, sidomos te anëtarësia e thjeshtë. “Ide të ndryshme, rrugë të ndryshme, ndjenja të tepruara, fjalë të thëna e të pa thëna, na çuan drejt një ndarjeje që shumica prej nesh e përjetuan me dhimbje dhe dëshpërim”, thuhet në deklaratë.

Sipas Degës së Dibrës, asnjëra nga palët nuk ka arritur ta përmbushë potencialin që Aleanca kishte si forcë e bashkuar. Thirrja është e qartë: për falje, pjekuri politike dhe unifikim përballë sfidave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Aleanca për Shqiptarët duhet të shihet si një shtëpi e përbashkët dhe jo si vend i interesave personale. Është koha për të falur dhe për të filluar nga e para”, theksohet në kumtesë, duke vënë në pah rëndësinë e kthimit te vlerat dhe fryma e Arbën Xhaferit si busull politike.

Deklarata mbyllet me një thirrje drejtuar dy kryetarëve aktualë të fraksioneve që të tejkalojnë veten dhe të veprojnë në interesin e përbashkët të shqiptarëve, përtej çdo dallimi apo egoje personale.

“Bashkimi është mision historik! Aleanca është më shumë se një parti – ajo është një ideal që, i bashkuar, do të jetë më i fuqishëm se kurrë,” përmbyllet kumtesa. Flaka Media

Flaka
Botuar nga Flaka 10 Maj, 2025 16:35
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media