Programi CEEPUS – 150 bursa për studentët dhe profesorët për vitin 2025/2026
Delegacioni i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës i kryesuar nga sekretarja shtetërore Elena Ivanovska mori pjesë në takimin e 24-të të Komitetit të Përbashkët të Programit CEEPUS (Central European Exchange Program for University Studies), i mbajtur në Budapest, në organizim të Ministrisë së Kulturës dhe Inovacionit të Hungarisë dhe Zyrës Qendrore të CEEPUS në Vjenë, njofton Flaka
Në takim u diskutua për efektivitetin dhe perspektivat e deritanishme të programit, për mundësitë e zgjerimit të kuotave të mobilitetit, si dhe për përfshirjen e vendeve të reja pjesëmarrëse në këtë rrjet bashkëpunimi universitar në Evropën Qendrore.
Ivanovska: 150 bursa të reja për studentët dhe profesorët nga Maqedonia
Në fjalimin e saj, Ivanovska theksoi rëndësinë e programit për Maqedoninë, sidomos në periudhën aktuale të reformave në arsim, kur vendi po afrohet gjithnjë e më shumë me standardet ndërkombëtare arsimore.
“Numri i institucioneve të arsimit të lartë nga Maqedonia që marrin pjesë në program është në rritje. Aktualisht jemi koordinatorë të katër rrjeteve akademike. Këtë vit kemi rritur kuotën e mobilitetit dhe kemi ndarë 150 bursa për qëndrime jashtë vendit”, theksoi Ivanovska.
Mundësi për të gjitha ciklet e studimeve dhe për profesorët
Programi CEEPUS i mundëson institucioneve të arsimit të lartë pjesëmarrje në 127 rrjete akademike nga fusha të ndryshme, ku përfshihen studentët e ciklit të parë, të dytë dhe të tretë, si edhe profesorët.
Maqedonia është nënshkruese e marrëveshjes me Shqipërinë, Austrinë, Bullgarinë, Bosnje-Hercegovinën, Kroacinë, Republikën Çeke, Hungarinë, Malin e Zi, Poloninë, Moldavinë, Rumaninë, Serbinë, Sllovakinë, Slloveninë dhe Kosovën.
Konkursi për vitin akademik 2025/2026 është i hapur dhe kandidatët e interesuar mund të aplikojnë për bursa studimore në universitete partnere në Evropën Qendrore. Për më shumë informacione dhe për aplikim, vizitoni faqen zyrtare të programit. Flaka Media
Konkursi për vitin akademik 2025/2026 është në rrjedhë dhe mund ta shikoni këtu.