Ahmeti ka disa pyetje për Mickoskin!

Flaka
Botuar nga Flaka 17 Maj, 2025 13:28

Ahmeti ka disa pyetje për Mickoskin!

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, përmbylli dje mbrëma në Haraçinë fushatën e takimeve mobilizuese të partisë me një fjalim të fuqishëm e të mbushur me mesazhe të qarta për barazi, partneritet dhe mbrojtjen e themeleve të shtetit multietnik, transmeton Flaka

Në një sallë të tejmbushur nga qytetarë të të gjitha moshave, familje dëshmorësh, invalidë lufte, bashkëluftëtarë, përfaqësues institucionalë dhe strukturat e BDI-së, Ahmeti hodhi kritika të forta ndaj atyre që, sipas tij, synojnë “të kthejnë vendin prapa”.

“Ne nuk e marrim shtetin – ne e drejtojmë atë që na takon! Shqiptarët janë mbi 30%, jetojnë në kontinuitet në trojet e veta dhe janë pjesë e pandashme e shtetformësisë!” – deklaroi Ahmeti, duke hedhur poshtë diskursin e frikës se shqiptarët po “e marrin shtetin”.

Në qendër të fjalimit ishte edhe një ftesë e drejtpërdrejtë për kryeministrin Kristian Mickoski, nga i cili Ahmeti kërkoi sqarime për disa çështje kyçe që, sipas tij, rrezikojnë themelet e bashkëjetesës:

“Pse po e ndryshon Ligjin e Gjuhës?

Pse po e ndryshon Marrëveshjen e Ohrit?

Pse po rrezikon paqen, stabilitetin dhe sigurinë e shtetit?”

Ahmeti paralajmëroi rikthimin e ideologjive të rrezikshme, duke përmendur shembullin e regjimit të Millosheviçit:

“A e dini kush përdorte filozofinë e ‘shqiptarëve të ndershëm’? Millosheviçi! Dhe kushdo që sot promovon këtë ide, po e ringjall një logjikë që shqiptarët e kanë mundur me gjak e sakrificë.”

Duke kujtuar sakrificat e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ai theksoi se epoka e së shtypurit përfundoi:

“Na kanë mbajtur të shtypur, të frikësuar e të dëbuar – por kjo përfundoi me UÇK-në. Sot, shqiptarët kanë tre universitete dhe mijëra kuadro profesionale. Asnjë forcë nuk mund ta ndalë këtë realitet!”

Ahmeti vuri në dukje rëndësinë e mbrojtjes së multietnicitetit dhe theksoi:

“Ky shtet nuk mund të drejtohet më nga një palë e vetme. Nuk është në interesin e askujt që të rrezikohet bashkëjetesa. Kush i shërben të keqes, nuk mund të ketë partneritet me ne!”

Në përmbyllje, lideri i BDI-së apeloi për paqe, integrim evropian dhe bashkëpunim rajonal, duke kundërshtuar konceptet e “shteteve të mëdha” me një vizion të përbashkët:

“Ne nuk kërkojmë Shqipëri të Madhe, Serbi të Madhe, as Bullgari të Madhe – por Evropë të Madhe, pa kufij, si Gjermania me Francën. Ballkani Perëndimor i bashkuar në Bruksel, në paqe dhe pajtim përfundimtar!”

Fjalimi përfundoi me një porosi universaliste:

“Rrofshi e qofshi ju, dhe qofshin të gjithë popujt liridashës.” Flaka Media

Flaka
Botuar nga Flaka 17 Maj, 2025 13:28
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media