BDI: Retorika e Mickoskit po prodhon efekt të kundërt – shqiptarët po bashkohen kundër poshtërimit
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit Hristijan Mickoski, duke e akuzuar atë për përhapje të retorikës ndarëse dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, njofton Flaka
Në kumtesën e publikuar nga partia, thuhet se Mickoski, në vend që të fokusohet në reformat dhe përmbushjen e premtimeve për integrimin evropian dhe stabilitetin ekonomik, po ndjek një agjendë nacionaliste që synon “krijimin e shqiptarëve të nënshtruar – të bindur, të heshtur dhe dekorativë”.
BDI paralajmëron se kjo qasje përkujton “ditët më të errëta të viteve ‘90, kur shqiptarët trajtoheshin si numra dhe jo si qytetarë të barabartë”, duke e krahasuar Mickoskin me retorikën e Millosheviqit.
Partia thekson se, përkundër përpjekjeve për përçarje, efekti është i kundërt: shqiptarët po afrohen me njëri-tjetrin, madje edhe kundërshtarët politikë po gjejnë gjuhë të përbashkët në mbrojtje të dinjitetit dhe autonomisë politike të komunitetit.
Në drejtim të kësaj kritike, BDI ka goditur edhe përfaqësuesit e koalicionit VLEN, të cilët aktualisht janë pjesë e qeverisë së re, duke i quajtur “mbetje” që qëndrojnë në pozita falë Mickoskit.
“Është koha të dalin mes qytetarëve dhe të dëgjojnë zërin e tyre, i cili po bëhet çdo ditë e më i fortë: mjaft më me poshtërim! Nëse nuk e dëgjojnë tani, do ta dëgjojnë në zgjedhjet e ardhshme – cilado qofshin ato,” thuhet në fund të deklaratës së BDI-së.
Ky reagim vjen në një moment të ndjeshëm politik, kur ekuilibrat ndëretnikë në vend janë sërish në fokus të debatit publik dhe diplomatik. Flaka Media