Dorëheqja e deputetit Sulejmani ndez debat publik: Mes virtytit dhe akuzave për pazare politike
Dorëheqja e papritur e deputetit Salim Sulejmani nga radhët e Aleancës për Shqiptarët dhe Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka ngjallur reagime të shumta dhe kontradiktore në opinionin publik, duke ndezur një debat të gjerë për motivet e vërteta që qëndrojnë pas këtij vendimi, shkruan Flaka
Një ndër reagimet e para erdhi nga kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, i cili e vlerësoi dorëheqjen si një akt dinjitoz dhe shembull të rrallë në politikën vendore. “Gjithkujt i ndodh së paku një herë në jetë ta dëshmojë dinjitetin e tij dhe, përkundër shtytjeve të interesave materiale, të veprojë në emër të një kauze të drejtë e të moralshme. Sot këtë e bëri deputeti Salim Sulejmani. Shoqëria jonë ende ka njerëz të virtytshëm. Prandaj ia VLEN!”, shkroi Ibrahimi në një reagim në rrjetet sociale.
Por jo të gjithë e panë dorëheqjen me të njëjtën sy. Profesori universitar dhe njohësi i diplomacisë, Flamur Ismaili, në një koment të shkurtër publik, vuri në dyshim pastërtinë e këtij akti. “Dorëheqja nga posti i deputetit për një premtim për emërim ambasador në Arabinë Saudite nuk ia len! Tradhëtia ndaj aktivistëve asnjëherë nuk ia vlen!”, shkroi Ismaili, duke aluduar në një marrëveshje të mundshme politike që do të shpërblente Sulejmanin me një post diplomatik.
Këto zhvillime kanë ndarë opinionin publik dhe kanë shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku qytetarët, analistët dhe aktivistët po shprehin qëndrime të ndryshme – nga lavdërimi për një veprim etik e moral, deri te akuzat për pazare të ulëta politike që fyejnë besimin e votuesve.
Dorëheqja e Sulejmanit vjen në një moment të ndjeshëm për koalicionin VLEN dhe ASH-në e Taravarit. Flaka Media