BDI: Qeveria e Mickoskit po e izolon vendin dhe po e ndan shoqërinë – shqiptarët po bashkohen
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar me një kumtesë të fuqishme ndaj qeverisjes së Mickoskit, duke e akuzuar atë për thellim të përçarjeve ndëretnike, rritje të propagandës anti-shqiptare dhe izolim të shtetit nga perspektiva evropiane, përcjell Flaka
“Qytetarët prisnin rezultate, stabilitet dhe një perspektivë të denjë europiane, ndërsa Qeveria e Mickoskit ofron vetëm propagandë, përçarje, poshtërim dhe dështim,” thuhet në deklaratën e BDI-së.
Sipas kësaj kumtese, integrimi në BE është bllokuar plotësisht dhe nuk ekziston asnjë plan konkret për zhbllokim, ndërkohë që vendet e tjera të rajonit ecin përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
BDI akuzon Mickoskin për thellim të retorikës anti-shqiptare dhe përpjekje për të ndarë shoqërinë në baza etnike, duke përfshirë në këtë projekt të rrezikshëm edhe Prokurorinë, gjyqësorin, oligarkinë dhe pjesë të sektorit civil. “Ky projekt monoetnik do të lërë pasoja të rënda në kohezionin e brendshëm të vendit,” paralajmëron BDI.
Gjithashtu, në deklaratë thuhet se zhvillimi ekonomik është vetëm propagandë qeveritare, ndërkohë që realiteti i qytetarëve karakterizohet nga rritja e çmimeve, paga të ulëta dhe largimi masiv i të rinjve. Sipas BDI-së, drejtësia sociale është e kapur dhe e margjinalizuar.
“Mickoskit i ka mbetur vetëm patriotizmi i rremë dhe retorika e vjetruar e kohës së Millosheviqit,” shton më tej BDI, duke theksuar se shqiptarët po bashkohen përballë kësaj qeverie, për të ndërtuar një front të dinjitetit, barazisë dhe perspektivës europiane.
Në fund të kumtesës, BDI kritikon ashpër përfaqësuesit e mbetur të VLEN-it në qeveri, duke i cilësuar si të kapur nga privilegjet dhe si “figura të fundit të një epoke që po perëndon”.
Deklarata përfundon me një thirrje për bashkim përballë padrejtësisë: “Shqiptarët do ta kujtojnë këtë epokë për poshtërimin e dinjitetit dhe bllokimin e aspiratave të tyre.”