Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Elfete Ismaili, jep dorëheqje të parevokueshme
Sot, më 19 maj 2025, Zëvendësministrja e Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut, znj. Elfete Ismaili, ka dorëzuar dorëheqjen e saj të parevokueshme nga kjo detyrë, njofton Flaka
Në deklaratën e saj publike, znj. Ismaili thekson se vendimi për dorëheqje është rezultat i një vlerësimi personal dhe profesional, duke e cilësuar atë si një hap të nevojshëm dhe në përputhje me bindjet e saj.
“Gjatë ushtrimit të këtij funksioni kam qenë e udhëhequr nga përkushtimi institucional, transparenca dhe përgjegjësia ndaj qytetarëve dhe interesit shtetëror,” thuhet në deklaratën e dorëheqjes së saj.
Ajo falënderon Kryeministrin Hristijan Mickoski për besimin dhe mundësinë që i është dhënë për të qenë pjesë e qeverisë, si dhe Kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, për mbështetjen dhe besimin në përfaqësimin e partisë dhe shoqërisë.
“Mbështetja për institucionet dhe kontributi në shërbim të interesit publik do të mbeten gjithmonë prioritet i imi, pavarësisht pozitave që mbaj,” përmbyll znj. Ismaili.
Dorëheqja e saj vjen në një periudhë kur në vend janë paralajmëruar ndryshime të mundshme në strukturën qeveritare pas largimit të partisë së Arben Taravarit nga qeveria dhe VLEN. Flaka Media