Zyrtarët e ASH-së largohen nga Qever, dorëhiqet edhe Flakron Bexheti
Aleanca për Shqiptarët ka vazhduar të tërheqë përfaqësuesit e saj nga ekzekutivi. Sot, Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave,Flakron Bexheti, ka dorëzuar dorëheqjen e tij të parevokueshme nga funksioni në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Flaka
Në një njoftim publik, Bexheti tha se ishte një periudhë dhjetëmujore përkushtimi dhe përgjegjësie, në të cilën përpiqej të kontribuonte për të mirën e bujqve dhe gjithë sektorit që përfaqëson kjo ministri.
“Me dinjitet, transparencë, seriozitet dhe krenari, sado pak kam kontribuar për të mirën e përgjithshme,” tha ai, duke shtuar se gjatë kësaj kohe ka pasur mundësinë të njohë njerëz të thjeshtë, por me zemër të madhe.
Bexheti falënderoi Kryeministrin, Ministrin e linjës dhe bashkëpunëtorët për bashkëpunimin korrekt, por veçanërisht falënderoi kryetarin e ASH-së, Arben Taravari, për mbështetjen dhe besimin. “Mendoj se në asnjë moment nuk i kam zhgënjyer me punën time,” theksoi ai.
Kjo dorëheqje vjen në një moment kur ASH ka rikthyer pozicionin e saj si opozitë, ndërsa zhvillimet politike të fundit flasin për tensione dhe ndarje të qarta mes partnerëve të dikurshëm të qeverisë. Flaka Media