Xhelili: Politika është përgjegjësi, Arben Taravari ka dëshmuar vizion dhe integritet

Flaka
Botuar nga Flaka 20 Maj, 2025 17:31

Xhelili: Politika është përgjegjësi, Arben Taravari ka dëshmuar vizion dhe integritet

Ish-deputeti dhe analisti politik Zudi Xhelili ka reaguar me një analizë rreth perceptimit dhe rolit të politikës në vend, duke theksuar se ajo nuk është “magji” apo “baba dimri”, por një proces që kërkon përgjegjësi, matje reale dhe rezultate konkrete.

Në këtë kontekst, ai ka vlerësuar kontributin e Arben Taravarit, duke theksuar se figura e tij politike është e ndërtuar përmes një procesi të gjatë dhe të qëndrueshëm, dhe jo e krijuar në mënyrë të rastësishme.

“Arben Taravari nuk është një figurë që ‘pikoi nga qielli’. Ai është bashkëthemelues i Aleancës për Shqiptarët dhe për më shumë se gjashtë vite ka qenë ndër figurat më të ekspozuara në skenën politike”, thekson Xhelili.

Ai kujtoi se Taravari ka fituar dy herë me radhë besimin e qytetarëve në Gostivar, duke dëshmuar, sipas tij, aftësi të qarta drejtuese dhe besueshmëri në sytë e qytetarëve.

“Si kryetar i ASH-së, ai është njeriu që me një lëvizje të vogël strategjike solli ndryshime të mëdha”, theksoi Xhelili, duke shtuar se Taravari ka ruajtur integritetin e tij politik edhe në situata sfiduese.

Sipas analizës së Xhelilit, Taravari është në pritje të një rezultati të rëndësishëm në zgjedhjet lokale të vjeshtës, ku parashikimet flasin për fitore në më shumë se gjashtë komuna, çka do të përbënte një sukses të konsiderueshëm politik.

“Këto nuk janë fjalë, por tregues konkretë të një performance politike të suksesshme që nuk mund të anashkalohet apo fshihet”, përfundoi Zudi Xhelili.

Ky vlerësim vjen në një periudhë përgatitjesh për zgjedhjet lokale, ku roli i liderëve politikë po analizohet në dritën e rezultateve dhe besimit qytetar të ndërtuar ndër vite. Flaka

Flaka
Botuar nga Flaka 20 Maj, 2025 17:31
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media