BDI shpreh shqetësim për diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në DAP
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shpreh shqetësim dhe indinjatë të thellë lidhur me rezultatet e fundit të konkurseve të brendshme në Drejtoria për të Ardhura Publike (DAP), të cilat edhe një herë dëshmojnë diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Në konkursin e brendshëm të datës 26 shkurt 2025, janë avancuar 26 maqedonas dhe asnjë shqiptar. Ndërsa në konkursin e datës 16 maj, nga 41 avancime, 40 janë maqedonas dhe vetëm një shqiptar, transmeton Flaka. Këto shifra nuk janë rastësore, por përfaqësojnë një përjashtim të qëllimshëm të shqiptarëve nga administrata publike, në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe parimin e përfaqësimit të drejtë dhe proporcional.
BDI vlerëson se kjo praktikë përbën një alarm serioz për rikthimin e politikave diskriminuese, të cilat cenojnë kohezionin ndëretnik dhe karakterin multietnik të shtetit.
“I bëjmë thirrje Qeverisë që urgjentisht të japë shpjegim se si është e mundur që në vitin 2025, në një vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian, të ndodhin pa asnjë ndjenjë turpi apo përgjegjësie, këso pabarazish të rënda etnike,” thuhet në reagimin e BDI-së.
BDI deklaron se nuk do të heshtë përballë këtyre padrejtësive dhe do të ndërmarrë të gjitha masat politike dhe juridike për të ndalur këtë degradim institucional të shqiptarëve.
Gjithashtu, partia u bën thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të ndjekin me vëmendje këto zhvillime, të cilat rrezikojnë të prishin ekuilibrin ndëretnik në shtet dhe të minojnë themelet e bashkëjetesës demokratike. Flaka