Dr. Maja Petanoska: Në kohë turbulente, lidershipi është çelësi

Flaka
Botuar nga Flaka 21 Maj, 2025 10:55

Dr. Maja Petanoska: Në kohë turbulente, lidershipi është çelësi

Në ceremoninë solemne të ndarjes së çmimeve të manifestimit tradicional “Gratë më të suksesshme menaxhere për vitin 2025”, organizuar për herë të 29-të nga agjencia “Marili”, u shpallën fituese 13 menaxhere, 11 nga Maqedonia e Veriut, një nga Serbia dhe një nga Kroacia, transmeton Flaka Media

Fitueset u nderuan me statujën “Gruaja udhëheqëse”, e cila në mënyrë simbolike paraqet një grua me dorën e ngritur që mban një pishtar për të ndriçuar rrugën për gratë e tjera, veçanërisht për gjeneratat e reja të grave të arsimuara.

Dr. Maja Petanoska, mjeke, menaxhere e brendit dhe trajnimit, si dhe bashkëpronare në kompaninë DERMAESTETIKA DOO Shkup, që operon me sukses që nga viti 2007, u shpall një nga fitueset e këtij viti. Kompania ofron kozmetologji mjekësore të nivelit të lartë dhe është përfaqësuese e autorizuar e brendit prestigjioz francez Guinot Institut Paris.

“Në botën e biznesit, gratë janë të vetëdijshme për sfidat me të cilat përballen. Roli i tyre si sipërmarrëse të suksesshme është gjithnjë e më i rëndësishëm për ekonominë. Idetë e tyre inovative janë një burim i shkëlqyer për kapërcimin e krizës ekonomike. Ato janë të hapura ndaj ideve të reja dhe të përkushtuara për të pasur sukses në botën e biznesit,” – theksoi Dr. Petanoska gjatë fjalimit të saj.

Ajo shtoi se sipërmarrja kërkon përkushtim dhe sakrificë, ndërsa qëllimi i saj kryesor mbetet rritja dhe zhvillimi i kompanisë, duke e mbajtur atë në hap me trendet globale. Si përfaqësuese e Guinot Institut Paris, një brend i pranishëm në mbi 70 vende të botës, ajo theksoi se cilësia e shërbimit dhe protokollet janë të njëjta, qoftë në Paris, Londër, Nju Jork apo Shkup.

“Mbështetja e familjes është faktor kyç për një karrierë të suksesshme. Fleksibiliteti në familje është gjithashtu i rëndësishëm për të arritur balancën mes jetës profesionale dhe asaj personale,” – tha Dr. Petanoska, duke shprehur mirënjohje për bashkëshortin dhe partnerin e saj në biznes.

Manifestimi “Zgjedhja e grave më të suksesshme”, përmes Klubit të Biznesit Marili, bashkon mbi 170 gra menaxhere, të cilat bashkëpunojnë, rrjetëzohen, organizojnë aktivitete humanitare dhe inkurajojnë vajzat dhe gratë e reja të hyjnë e të realizohen në fushën e biznesit. Flaka

Flaka
Botuar nga Flaka 21 Maj, 2025 10:55
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media